Franca vendos kufirin: Fund rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç
Written by radio wave on July 22, 2026
Franca ka ndërmarrë një hap të paprecedentë në Europë duke vendosur kufizime të reja për përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët. Parlamenti francez ka miratuar ligjin që ndalon krijimin e llogarive në platformat sociale për të miturit nën moshën 15 vjeç.
Vendimi, i mbështetur edhe nga presidenti Emmanuel Macron, parashikon që nga 1 shtatori fëmijët nën këtë moshë të mos kenë mundësi të hapin profile të reja, ndërsa llogaritë ekzistuese do të mbyllen duke nisur nga janari i vitit 2027.
Përgjegjësia për kontrollin e moshës do t’u kalojë vetë platformave sociale, të cilat do të duhet të zbatojnë mekanizma verifikimi për të parandaluar aksesin e përdoruesve nën kufirin e përcaktuar.
Ligji nuk do të prekë platformat me karakter edukativ dhe enciklopeditë online, ndërsa autoritetet franceze argumentojnë se masa synon të mbrojë fëmijët nga ndikimet negative të rrjeteve sociale, përfshirë varësinë nga ekranet dhe presionin psikologjik.
Ky vendim pritet të shërbejë si shembull për vende të tjera europiane, të cilat po diskutojnë gjithnjë e më shumë mënyra të reja për të rregulluar përdorimin e rrjeteve sociale nga moshat e reja.