Skandal në Miss USA, RIKTHEN kurorën dhe paralajmëron padi
Written by radio wave on August 14, 2026
Një tjetër polemikë ka tronditur botën e konkurseve të bukurisë në SHBA. Brittany Boltinhouse, e shpallur “Miss North Carolina” në fund të qershorit, është shkarkuar nga titulli vetëm pak javë më vonë, pasi dolën në dritë postime të vjetra në rrjetet sociale që përmbanin gjuhë fyese me përmbajtje raciste.
Vendimi i organizatorëve ka shkaktuar reagime të forta, ndërsa Boltinhouse ka refuzuar publikisht të kërkojë falje. Ajo këmbëngul se i janë shkelur të drejtat dhe pretendon se është diskriminuar për shkak të bindjeve të saj politike dhe fetare, duke bërë të ditur se do ta ndjekë çështjen në gjykatë.
Kur u pyet nëse ishte e gatshme të kërkonte ndjesë për postimet e publikuara vite më parë, ish-mbretëresha e bukurisë u përgjigj prerazi se nuk do ta bënte një gjë të tillë.
Nga ana tjetër, organizata “Miss USA” ka sqaruar se vendimi nuk është marrë për një rast të vetëm, por pas shqyrtimit të një sërë materialesh publike dhe një bisede të zhvilluar me vetë Boltinhouse. Sipas organizatorëve, garueset janë të lira të kenë bindjet e tyre politike apo fetare, por kontratat parashikojnë standarde të qarta sjelljeje që duhet të respektohen.
Edhe avokati i saj ka reaguar, duke i cilësuar akuzat për racizëm, homofobi dhe transfobi si të pabaza dhe shpifëse. Megjithatë, organizatorët mbeten të vendosur se vepruan në përputhje me rregullat e konkursit.
Tashmë çështja pritet të kalojë në sallën e gjyqit, ku Boltinhouse synon të sfidojë vendimin dhe të kërkojë drejtësi për atë që e konsideron një trajtim të padrejtë.