Dy sopranot shqiptare shkëlqejnë në “Klassiek in het Park” në belgjikë
Written by radio wave on August 18, 2026
Një zë i jashtëzakonshëm në një moshë vetëm 13-vjeçare. Isabelle Eve Poro ishte ndër emrat që spikatën në koncertin “Klassiek in het Park”, zhvilluar në parkun e Brasschaat në Belgjikë.
Sopranoja shqiptaro-kanadeze performoi përpara rreth 2 mijë spektatorëve, duke lënë mbresa të forta me vokalin e saj dhe duke dëshmuar një maturi artistike shumë përtej moshës.
Në edicionin e 12-të të këtij eventi, të titulluar “De 5 Seizoenen”, Poro ndau skenën me soprano-n shqiptare Ana Naqe, ndërsa koncerti u drejtua nga dirigjenti i njohur Dirk Brossé, me orkestrën Ataneres dhe korin Fine Fleur.
Edhe pse ende në fillimet e karrierës, Isabelle Eve Poro po tërheq vëmendje për potencialin e saj vokal. Paraqitja në Brasschaat ishte një tjetër moment i rëndësishëm për të, duke e vendosur emrin e saj përkrah artistëve me eksperiencë në një prej eventeve të njohura të muzikës klasike në Belgjikë.
Një talent i ri shqiptaro-kanadez që po rritet në skenën e muzikës klasike dhe që, në moshën 13-vjeçare, po dëshmon se një zë i madh nuk njeh moshë.