Musiala flet pas momenteve shqetësuese: “Jam mirë dhe optimist”
Written by radio wave on August 19, 2026
Jamal Musiala ka reaguar për herë të parë pas dy episodeve shqetësuese që alarmuan tifozët, duke dhënë detaje për gjendjen e tij dhe duke qetësuar të gjithë ata që u shqetësuan për të.
Ylli i Bayern Munichut pati episode të njëjta në dy ndeshje miqësore, ku humbi ndjenjat në fushë. Pamjet shkaktuan reagime të shumta, ndërsa fansat kërkuan të dinin më shumë për gjendjen e futbollistit.
Në një mesazh të publikuar për ndjekësit e tij, Musiala bëri të ditur se pas kontrolleve mjekësore është diagnostikuar me episode të shkurtra të lidhura me një mosfunksionim neurologjik.
“Gjëja e parë – jam mirë”, ishte mesazhi me të cilin 23-vjeçari nisi reagimin e tij, duke falënderuar tifozët për mbështetjen dhe mesazhet e shumta.
Musiala shpjegoi se episodet mund të shkaktojnë humbje të përkohshme të vetëdijes, por tha se po merr trajtim të specializuar dhe se është optimist për gjendjen e tij.
Futbollisti theksoi gjithashtu se, në konsultim me neurologët, dëshiron të vazhdojë jetën e përditshme dhe të merret me futbollin, duke pasur mbështetjen e Bayern Munichut, familjes dhe miqve.
“Kam një ndjenjë shumë të mirë dhe jam në rrugën e duhur”, u shpreh Musiala, duke kërkuar në të njëjtën kohë mirëkuptimin e publikut dhe privatësi për çështjen.
Reagimi i tij ka qetësuar tifozët e Bayern Munichut, të cilët tani presin rikthimin e talentit gjerman në fushë, ndërsa Musiala ka bërë të qartë se fokusi i tij mbetet te rikuperimi dhe pasioni për futbollin.