Jaafar Jackson flet për vazhdimin e filmit “Michael”: “Do të tregojë më shumë nga këndvështrimi i tij”
Written by radio wave on August 21, 2026
Jaafar Jackson, nipi i Michael Jackson dhe aktori që portretizon Mbretin e Popit në filmin biografik “Michael”, ka reaguar ndaj kritikave se filmi nuk i ka trajtuar në mënyrë të plotë disa prej episodeve më të diskutueshme të jetës së këngëtarit.
Në një intervistë për “GQ Middle East”, Jaafar la të kuptohet se një vazhdim i mundshëm mund t’u kushtojë më shumë hapësirë akuzave për abuzim seksual dhe versionit të Michael Jackson për këto ngjarje.
“Filmi i dytë do të japë edhe më shumë informacion nga këndvështrimi i tij”, u shpreh Jaafar, duke theksuar se akuzat dhe pretendimet vijnë nga palë të tjera dhe se historia mund të trajtohet më gjerësisht në një film të dytë.
“Michael” është përballur me kritika pikërisht për mënyrën se si trajton aspektet më kontroverse të jetës së këngëtarit. Akuzat ndaj Jackson nisën të bëheshin publike në vitin 1993, ndërsa në vitin 2005 ai u përball me një proces penal për akuza për abuzim seksual të një të mituri. Jackson u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat.
Jaafar ka sqaruar se skenari i vazhdimit është ende në zhvillim dhe se ai nuk ka kontroll mbi mënyrën se si do të rrëfehet historia.
Për rolin e tij, 30-vjeçari është përgatitur për rreth tre vite, duke punuar intensivisht për të përvetësuar zërin, lëvizjet dhe stilin e xhaxhait të tij. Ai është djali i Jermaine Jackson dhe pjesë e familjes së njohur muzikore Jackson.
Tashmë, vëmendja është përqendruar te mundësia që një film i dytë të zgjerojë historinë dhe të trajtojë edhe kapitujt më të debatueshëm të jetës së Michael Jackson.