Ricky Martin rikthehet në kinema pas më shumë se 20 vitesh
Written by radio wave on August 26, 2026
Ricky Martin po rikthehet në ekranin e madh pas më shumë se dy dekadash, duke iu bashkuar kastit të filmit të ri “Hombre al Agua”, me regji të aktorit meksikan Gael García Bernal.
Këngëtari portorikan jo vetëm që interpreton në film, por është edhe producent ekzekutiv. Ai luan rolin e Roby, një aktor që angazhohet për të interpretuar personazhin kryesor në një film biografik.
“Hombre al Agua” është një komedi dramatike me elemente sureale dhe tregon historinë e Camilos, një roje plazhi kubaneze, jeta e të cilit ndryshon pasi shpëton një biznesmen të fuqishëm meksikan.
Gael García Bernal, i cili luan rolin kryesor, ka treguar se Ricky Martin ishte zgjedhja e tij e parë për këtë rol. Ai madje e kontaktoi këngëtarin vetëm pak para nisjes së xhirimeve në Meksikë.
Filmi pritet të prezantohet në festivale të rëndësishme ndërkombëtare, përfshirë Festivalin e Filmit në Venecia dhe Festivalin e Torontos.
Në kast janë gjithashtu emra si Esmeralda Pimentel, Débora Nascimento, Natalia Oreiro dhe Manuel García-Rulfo.
Për Ricky Martin, ky projekt shënon një rikthim të shumëpritur në kinematografi dhe një tjetër hap në një karrierë që ka kaluar me sukses nga muzika te televizioni, skena dhe tashmë sërish në filmin artistik.