Current track

Title

Artist

STARTUP ALBANIA SHPËRBLEN SHQIPËRINË: EKOSISTEMI I STARTUPEVE ME RRITJEN MË TË MADHE NË ADRIATIK

Written by on October 6, 2026

Shqipëria po merr gjithnjë e më shumë vëmendje në hartën europiane të inovacionit, dhe këtë herë lajmi vjen nga bota e startup-eve. Startup Albania Agency është vlerësuar nga StartupBlink si përfaqësuesja e ekosistemit kombëtar shqiptar, i cili rezulton me rritjen më të shpejtë mes vendeve të rajonit të Adriatikut.

Sipas vlerësimit të vitit 2026, ekosistemi shqiptar i startup-eve regjistroi një rritje prej 71.1%, duke lënë pas vende si Bosnje-Hercegovina, Italia, Sllovenia dhe Kroacia. Kjo rritje e ka ngjitur Shqipërinë në vendin e 75-të në renditjen globale dhe në vendin e katërt në Europë për ritmin e zhvillimit.

Por shifrat nuk janë i vetmi tregues. Edhe Tirana ka shënuar një rritje të ndjeshme në renditjen ndërkombëtare të qyteteve startup, duke u ngjitur me 17 vende dhe duke regjistruar një rritje prej 40.5%.

Çmimi për Startup Albania u pranua gjatë një aktiviteti ndërkombëtar në Tashkent, duke i dhënë edhe më shumë dukshmëri Shqipërisë në një sektor ku teknologjia, inovacioni dhe sipërmarrja po kthehen në pjesë gjithnjë e më të rëndësishme të ekonomisë.

Ndërkohë, mbështetja për këtë ekosistem po rritet edhe në nivel vendas. Programi Grant 2026 ka dyfishuar fondin në 600 milionë lekë dhe këtë vit janë mbështetur 163 startup-e, kundrejt 81 një vit më parë.

Një tjetër sinjal se Shqipëria nuk po kërkon më vetëm të jetë pjesë e hartës së startup-eve, por po tenton të bëhet një prej tregjeve me ritmin më interesant të zhvillimit në rajon.


Reader's opinions

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Current track

Title

Artist