Shqipëria mund San Marinon, por lë shumë pikëpyetje: Kuqezinjtë vuajnë deri në fund
Written by radio wave on October 7, 2026
Shqipëria mori tri pikët mbrëmë në “Air Albania”, por fitorja ndaj San Marinos nuk ishte aspak ajo që pritej. Kuqezinjtë fituan 2-1 në një ndeshje ku rezultati është shumë më pozitiv se loja e treguar në fushë.
Kristjan Asllani e hapi takimin që në minutën e 11-të me një goditje spektakolare nga distanca dhe dukej sikur gjithçka do të shkonte sipas skenarit. Por goli i hershëm nuk solli qetësinë e pritur dhe Shqipëria nuk arriti të kontrollojë ndeshjen në mënyrën që kërkohej përballë një kundërshtari dukshëm më modest në letër.
Kuqezinjtë patën mundësi për të dyfishuar rezultatin, me Rei Manajn që goditi edhe shtyllën, por rastet e shpërdoruara e mbajtën San Marinon në lojë. Dhe në pjesën e dytë erdhi surpriza që askush në “Air Albania” nuk e priste: Lorenzo Lazzari barazoi në minutën e 66-të, duke heshtur stadiumin.
Nga ai moment, Shqipëria u fut në një garë me kohën për të shmangur një nga rezultatet më zhgënjyese të viteve të fundit. Sulmet u shtuan, por loja nuk mori atë intensitet që pritej dhe San Marino rezistoi deri në minutat e fundit.
Shpëtimi erdhi në shtesë. Pas ndërhyrjes së VAR-it për një prekje me dorë në zonë, Shqipëria fitoi penallti dhe Asllani u tregua sërish i saktë, duke shënuar në minutën e 90+3 dhe duke i dhënë kuqezinjve fitoren.
Tri pikë, vendi i parë në grup dhe një tjetër hap i rëndësishëm në Ligën e Kombeve. Por pas kësaj ndeshjeje mbetet një pyetje e madhe: a mjafton vetëm rezultati?
Përballë San Marinos, Shqipëria duhej të tregonte autoritet, kontroll dhe efikasitet. Në vend të kësaj, e çoi ndeshjen deri në sekondat e fundit dhe iu desh një penallti për të siguruar fitoren.
Rezultati 2-1 shkruhet në histori si një fitore, por loja e shfaqur në “Air Albania” lë shumë për t’u diskutuar përpara sfidave të nëntorit.