NETFLIX ZGJERON UNIVERSIN E STRANGER THINGS, SERIALI I RI NA KTHEN NË VITIN 1955
Written by radio wave on November 9, 2026
Universi i Stranger Things nuk ka përfunduar ende! Netflix ka konfirmuar zyrtarisht një serial të ri që do të zgjerojë historinë e një prej produksioneve më të suksesshme në historinë e platformës. Projekti i ri mban titullin Other Worlds: A Stranger Things Adventure dhe do të na çojë plot dekada përpara ngjarjeve që njohim nga seriali origjinal.
Historia do të zhvillohet në vitin 1955, në qytetin imagjinar Marion, në shtetin e Nevadës. Pra, këtë herë nuk do të rikthehemi në Hawkins dhe as nuk do të ndjekim aventurat e Eleven, Mike, Dustin apo personazheve të tjerë të njohur. Seriali do të prezantojë një grup krejtësisht të ri personazhesh, me heronj, antagonistë dhe mistere të mbinatyrshme që do të zgjerojnë mitologjinë e këtij universi.
Ngjarjet vendosen përpara historisë së serialit origjinal dhe gjithashtu përpara ngjarjeve të shfaqjes teatrale Stranger Things: The First Shadow, e cila eksploron të kaluarën e Henry Creel, personazhit që fansat njohin si Vecna.
Pas projektit qëndrojnë sërish Matt dhe Ross Duffer, krijuesit e serialit origjinal, të cilët do të bashkëpunojnë me skenaristen Kate Trefry. Kjo e fundit do të jetë bashkëkrijuese, skenariste dhe showrunner e produksionit. Ndërkohë, regjisori i njohur Joe Wright, autor i filmave Pride & Prejudice dhe Atonement, do të drejtojë tre episodet e para.
Një tjetër detaj interesant vjen nga vetë prezantimi i projektit. Në teaser-in e publikuar nga Netflix shfaqet data 19 prill 1955, një biçikletë e braktisur, një radio që transmeton muzikë të viteve ’50 dhe një qiell që duket se fsheh diçka të pazakontë. Mesazhi që shoqëron pamjet është: “Before Hawkins, there was Marion” – Përpara Hawkins, ishte Marion.
Xhirimet e serialit do të zhvillohen në New Mexico, ndërsa Netflix ka konfirmuar se publikimi do të bëhet në vitin 2028. Për momentin, emrat e aktorëve dhe data e saktë e premierës nuk janë bërë ende të ditur.
Me më shumë se 1.2 miliardë shikime të regjistruara për katër sezonet e para, Stranger Things është shndërruar në një fenomen global të kulturës pop. Tashmë, me Other Worlds, krijuesit synojnë të tregojnë se historia e këtij universi është shumë më e madhe se ajo që publiku ka parë deri më tani.





