FINLANDA TË PAGUAN UDHËTIMIN NËSE PRANON NJË TAKIM ME NJË TË PANJOHUR!
Written by radio wave on November 11, 2026
Nëse jeni beqarë, jeni lodhur nga aplikacionet e takimeve dhe keni dëshirë të udhëtoni, Finlanda mund të ketë ofertën perfekte për ju. Vendi nordik ka lançuar një iniciativë të pazakontë, përmes së cilës do të përzgjedhë 16 persona beqarë nga e gjithë bota për një udhëtim katërditor plotësisht falas, me një kusht të veçantë: të marrin pjesë në një takim romantik me persona që nuk i kanë takuar kurrë më parë.
Nisma quhet “Finnish Dinner Date” dhe organizohet nga institucioni zyrtar i turizmit, Visit Finland. Ideja është që udhëtarët të zbulojnë kulturën dhe gastronominë finlandeze, ndërsa njëkohësisht të kenë mundësinë të njohin njerëz të rinj dhe ndoshta të gjejnë edhe dashurinë.
Pjesëmarrësit do të ndahen në dy grupe me nga tetë persona. Njëri grup do të udhëtojë drejt Helsinkit, ndërsa tjetri drejt qytetit Tampere, në rajonin e liqeneve finlandeze. Organizatorët do të mbulojnë biletat e avionit, akomodimin, ushqimin dhe aktivitetet gjatë qëndrimit katërditor, të planifikuar për periudhën 9–19 shkurt 2027.
Por surpriza e vërtetë do të jetë darka. Tetë udhëtarët ndërkombëtarë do të ulen në të njëjtën tryezë me dy beqarë vendas, në një ambient të organizuar posaçërisht për këtë eksperiencë. Menuja do të përgatitet nga kuzhinierë të njohur finlandezë dhe do të përfshijë produkte tradicionale të vendit, si peshk të egër, manaferra dhe kërpudha të mbledhura në natyrë.
Për të aplikuar nuk mjafton thjesht të jesh beqar. Kandidatët duhet të jenë të paktën 18 vjeç, të jetojnë jashtë Finlandës dhe të përgatisin një video të shkurtër në gjuhën angleze, duke iu përgjigjur një pyetjeje: “Çfarë do të shërbenit në një darkë romantike dhe përse?”
Videoja duhet të publikohet në Instagram, TikTok ose YouTube, duke përdorur hashtagun #FinnishDinnerDate dhe duke etiketuar Visit Finland. Më pas, aplikantët duhet të plotësojnë edhe formularin zyrtar të aplikimit.
Afati për aplikime përfundon më 10 nëntor 2026, ndërsa 16 fituesit do të shpallen më 1 dhjetor. Udhëtimet do të zhvillohen në shkurt të vitit të ardhshëm.
Kjo ide është frymëzuar edhe nga një trend interesant në supermarketet finlandeze, i quajtur “Sinkkukori”, që përkthehet si “shporta e beqarëve”. Disa supermarkete kanë prezantuar shporta rozë, të cilat shërbejnë si një sinjal diskret për klientët se personi që po bën pazaret është beqar dhe i hapur për njohje të reja.
Në një kohë kur shumë njerëz janë lodhur nga takimet virtuale, Finlanda po provon një formulë tjetër: më pak swipe në telefon dhe më shumë biseda përballë njëri-tjetrit.
Dhe nëse në fund nuk gjeni dashurinë e jetës, të paktën do të keni kaluar katër ditë në Finlandë, me të gjitha shpenzimet e paguara. Në fund të fundit, edhe një takim i dështuar duket shumë më pak dramatik kur bileta e kthimit është falas!





