DUA LIPA REAGON NDAJ RAPORTIMEVE TË MEDIAVE BRITANIKE PËR LARGIMIN E AGJENTIT TË SAJ
Written by radio wave on September 24, 2025
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ka reaguar publikisht përmes një InstaStory lidhur me raportimet e fundit të mediave britanike, të cilat lidhnin emrin e saj me largimin nga puna të agjentit të gjatë, David Levy.
Në reagimin e saj, Dua shkroi:
“Nuk miratoj veprimet e David Levy-t apo të drejtuesve të tjerë të industrisë muzikore ndaj një artisti që thotë të vërtetën e vet. Nuk mund të injoroj as mënyrën se si është trajtuar kjo çështje në media. Historia ishte plotësisht e rreme dhe gjuha që përdori Daily Mail ishte qëllimisht provokuese, e krijuar thjesht për klikime dhe për të nxitur ndasi online. Unë gjithmonë mbështes Palestinën, por shfrytëzimi i një tragjedie globale për të shitur gazeta më shqetëson thellësisht”.

Ky reagim i artistes vjen pak ditë pasi Daily Mail raportoi se Dua Lipa kishte shkëputur bashkëpunimin me David Levy, pasi ky i fundit kishte udhëhequr një fushatë për të ndaluar pjesëmarrjen e grupit reper Kneecap, të njohur për qëndrimet e tyre pro-palestineze, në festivalin Glastonbury. Raportimi pretendonte se performancat e grupit nxisnin antisemitizëm.
Emaili që kishte nënshkrimin e Levy-t, së bashku me disa figura të tjera të industrisë muzikore izraelite, ishte cilësuar si “private dhe konfidencial”, por më pas u rrjedh në publik, duke zbuluar qëndrimin e tyre ndaj artistëve pro-palestinezë.
Dua Lipa e ka hedhur poshtë këtë narrativë, duke e cilësuar si një histori të rreme dhe të motivuar për sensacion, duke theksuar se nuk pranon shfrytëzimin e situatave të ndjeshme globale për përfitime mediatike dhe klikime.