MOZZIK REAGON PAS SKANDALIT TË ORËS: “ISHTE LOJË ME SKENAR, POR KAM QENË NË SHËNJESTËR POLITIKE”
Written by radio wave on September 24, 2025
Reperi i njohur nga Ferizaj, Mozzik, ka reaguar përmes një sqarimi publik në Facebook pas debatit të madh rreth orës së markës Richard Mille, të cilën e kishte prezantuar si origjinale, por që më pas doli të ishte e falsifikuar.
Në reagimin e tij, Mozzik ka sqaruar se gjithçka ishte pjesë e një “loje me skenar”, por shtoi se rasti ka nxjerrë në pah një problem më të gjerë. Sipas tij, disa figura nga Lëvizja Vetëvendosje kanë pasur për shumë kohë “inat personal” ndaj tij.
“Moti kohë disa nga VV-ja e kanë personale me mua. Kjo që ndodhi me orën këto ditë ishte një lojë me skenar nga unë, por e vërteta është se ata e kanë bërë çështje personale me mua prej shumë kohësh – dhe këtë e dini edhe vetë,” ka shkruar ai.
Mozzik ka ftuar edhe personat që ishin në detyrë atë natë në aeroport të dëshmojnë për presionet që, sipas tij, iu bënë nga Hekuran Murati dhe Dimal Basha për ta ndaluar. Ai e ka cilësuar këtë si një sulm politik.
Reperi shtoi se prej dy vitesh është përballur me padrejtësi nga ATK, duke theksuar se skandali i orës vetëm sa konfirmoi akuzat e tij. Ai mohoi çdo lidhje me aktivitete të jashtëligjshme:
“Ama jo, jo – nuk i kam fituar paratë as me drogë, as me hajni. I kam fituar vetëm me talentin tim. Dhe me orë fallco nuk mundet askush të më tatimojë me mijëra e mijëra euro”.
Në postimin e tij, Mozzik përmendi edhe Kryeministrin, duke pyetur nëse është në dijeni për “inatet personale të vendasëve” ndaj tij. Ai e mbylli reagimin me tone të forta:
“Unë i kam vetëm 29 vjet, por gjithmonë kam qenë një hap para jush. Më leni rahat, se tash ju nxora ashiqare! Suksese!”.
Ky reagim ka ndezur debat të gjerë në rrjetet sociale, duke thelluar diskutimet rreth skandalit të orës dhe akuzave për presione politike që reperi pretendon se ka përjetuar.