SHQIPËRIA PËRFAQËSOHET NË OSCARS 2026 ME FILMIN “LUNA PARK” TË FLORENC PAPAS
Written by radio wave on September 25, 2025
Shqipëria ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e saj për çmimet prestigjioze Oscars 2026, duke zgjedhur filmin artistik me metrazh të gjatë “Luna Park” të regjisorit Florenc Papas.
Më 23 shtator 2025, në ambientet e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë (QKK), u mblodh Komisioni Përzgjedhës për të vendosur se cili film do të përfaqësojë vendin në kategorinë “International Feature Film” në edicionin e 98-të të Oscars. Në garë ishin dy produksione: “Luna Park”, i prodhuar nga On Film Production dhe me bashkëprodhim nga Buka Production, si dhe “Emili”, një produksion i A.R. Production me regji nga Ajola Daja.

Pas shqyrtimit të të dy filmave, komisioni votoi unanimisht në favor të “Luna Park”, duke e shpallur atë përfaqësuesin zyrtar të Shqipërisë.
Roli kryesor në film i është besuar aktores së njohur kosovare Adriana Matoshi, e cila ka marrë vlerësime të shumta për interpretimet e saj në projekte të mëparshme.

Në një reagim publik, Qendra Kombëtare e Kinematografisë ka uruar regjisorin Florenc Papas dhe producentin Dritan Huqi, duke e konsideruar këtë si një hap të rëndësishëm për kinematografinë shqiptare në skenën ndërkombëtare.
Kjo kandidaturë shënon një tjetër përpjekje të kinemasë shqiptare për të fituar vëmendjen e Akademisë Amerikane të Arteve dhe Shkencave të Filmit, duke synuar të vendosë Shqipërinë më fuqishëm në hartën e kinemasë botërore.
