RITA ORA FITON BETEJËN ME FQINJËT, MERR LEJE PËR TË NDËRTUAR PALESTRËN LUKSOZE NË VILËN E SAJ
Written by radio wave on October 1, 2025
Rita Ora ka arritur të fitojë një betejë të gjatë dhe të ashpër me fqinjët për ndërtimin e një palestre moderne në kopshtin e vilës së saj prej 7.5 milionë funtesh (8.5 milionë euro) në Londër. Vila e këngëtares është ndërtesë e mbrojtur si trashëgimi kulturore, gjë që e bëri projektin edhe më të ndërlikuar.
Planet e saj u kundërshtuan ashpër nga banorët lokalë, të cilët dorëzuan edhe një ankesë kolektive pranë autoriteteve, duke e cilësuar ndërtimin si “shëmtim vizual” dhe rrezik për qetësinë e zonës. Ata u shprehën të shqetësuar për ndriçimin artificial, muzikën e lartë dhe humbjen e privatësisë, duke paralajmëruar se projekti mund të sillte konflikte dhe procese ligjore.
Fqinjët madje e kujtuan Ritën për deklaratat e saj të mëparshme, kur e kishte përshkruar kopshtin si një “parajsë të gjelbër”, një strehë për fluturat, shpendët dhe madje edhe pallonjtë. Në një video në YouTube, këngëtarja tregonte se kopshti ishte vendi ku ajo relaksohej, larg teknologjisë dhe zhurmës.
Por pavarësisht kundërshtimeve, Këshilli i Camden-it i dha dritën jeshile projektit, duke i lejuar Ritës të realizojë idenë e saj për palestrën private.
Një burim pranë saj tha për The Sun: “Rita nuk ka ndërmend të prishë qetësinë e lagjes. Ajo i ka bërë të gjitha sipas rregullave dhe nuk do ta kishte marrë lejen nëse projekti binte ndesh me ligjin urbanistik”.
Përfaqësuesit e Rita Orës nuk kanë komentuar ende mbi këtë vendim, ndërsa fansat presin të shohin transformimin e kopshtit të saj të famshëm në një hapësirë moderne për fitness.