WAVE BREAKFAST SHOW, MIRGENA EMINI: CREDINS BANK, TASHMË EDHE NË APPLE PAY. JA BENEFITET E KARTAVE TONA…
Written by radio wave on October 1, 2025
Në edicionin e fundit të Wave Breakfast Show me Ergys Bamcin, në lidhje telefonike ishte e ftuar Mirgena Emini, përgjegjëse e produkteve dhe shërbimeve te Banka Credins. Ajo foli për rëndësinë e ndërgjegjësimit të qytetarëve për përdorimin e pagesave me kartë dhe zhvillimet e fundit në sektorin bankar.
Emini theksoi se sistemet bankare kanë investuar shumë në teknologji, duke sjellë zgjidhje moderne për klientët. Një nga nismat më të fundit është lancimi i Apple Pay nga Banka Credins, e disponueshme fillimisht për klientët me MasterCard dhe së shpejti edhe për ata me Visa. Ky shërbim siguron që portofoli juaj të jetë gjithmonë me ju në telefon, duke e bërë pagesën më të lehtë dhe më të sigurt, pavarësisht se ku ndodheni.
Banka Credins ka nisur më shumë se një vit më parë një projekt të ngjashëm për përdoruesit e Android, ndërsa tashmë shtrirja e tij përfshin edhe përdoruesit e Apple Pay. Emini theksoi gjithashtu se gjatë vitit të fundit, transaksionet me kartë kanë shënuar rritje të ndjeshme, duke treguar që bizneset janë bërë më të ndërgjegjshme dhe janë pajisur me POS për të lehtësuar pagesat elektronike.
Përveç kësaj, Emini vuri në dukje se qeveria po zhvillon fushata ndërgjegjësimi për përdorimin e kartave, duke nxitë qytetarët të adoptojnë mënyra më të sigurta dhe moderne të pagesave. Një tjetër përfitim i kartave të Bankës Credins është aksesimi në lounge-t e aeroportëve në mbarë botën, një shërbim që, sipas studimeve të bankës, përdoret kryesisht nga klientët gjatë udhëtimeve jashtë vendit.
Me këto zhvillime, Banka Credins po synon të bëjë pagesat elektronike një praktikë të përditshme për qytetarët dhe bizneset shqiptare, duke ofruar jo vetëm komoditet dhe siguri, por edhe avantazhe të tjera ekskluzive për klientët e saj.