Erjola Lami në Radio Wave: Konsulenca ligjore, garancia që kursen kohë, para dhe probleme
Written by radio wave on December 25, 2025
Avokatja Erjola Lami ishte sot e ftuar në studion e Radio Wave, ku gjatë një interviste të drejtpërdrejtë theksoi rëndësinë thelbësore të konsulencës ligjore përpara nënshkrimit të çdo kontrate, si për individët ashtu edhe për bizneset.
Sipas saj, zgjedhja për t’u këshilluar me një profesionist ligjor që në hapat e parë të një biznesi është një vendim që nuk gabon kurrë. Përkundrazi, kjo qasje kushton shumë më pak sesa zgjidhja e konflikteve dhe problemeve që lindin më vonë. Erjola Lami nënvizoi se kontratat janë baza e çdo marrëdhënieje serioze dhe funksionojnë realisht vetëm kur hartohen dhe kontrollohen me kujdes profesional.
Ajo vuri theksin te rëndësia e analizimit të çdo detaji dhe çdo klauzole pikërisht në momentet e gëzueshme të lidhjes së një kontrate. Sipas saj, janë këto pika që, në situata të vështira, shndërrohen në garanci reale për të gjitha palët e përfshira.
Një mesazh i drejtpërdrejtë iu drejtua edhe bizneseve, duke paralajmëruar se heqja dorë nga ekipet profesionale dhe zëvendësimi i tyre me zgjidhje amatore është një gabim i shpeshtë dhe i kushtueshëm. “Profesionalizmi nuk është shpenzim, por investim”, theksoi ajo, duke nënvizuar pasojat që sjell mungesa e ekspertizës ligjore.
Një tjetër temë e rëndësishme e diskutuar ishte mbrojtja e të drejtave të autorit. Erjola Lami nënvizoi se çdo autor duhet të regjistrojë zyrtarisht veprën e tij, për të pasur mundësi reale mbrojtjeje ligjore në rast shkeljeje apo abuzimi.
Duke bërë një paralelizëm domethënës, ajo e krahasoi konsulencën ligjore me “mjekun e familjes”, ndërsa avokatin e familjes e cilësoi si një figurë kyçe për parandalimin dhe zgjidhjen e problemeve ligjore në çdo fazë të jetës familjare dhe profesionale.
Në përfundim, Erjola Lami theksoi se sot, më shumë se kurrë, konsulenca ligjore është një domosdoshmëri. Parimi “Carta canta”, sipas saj, mbetet themeli i sigurisë juridike, ndërsa përfaqësimi nga një avokat garanton qartësi, mbrojtje dhe stabilitet afatgjatë për çdo individ dhe biznes.