Landi thyen heshtjen: Në mbrojtje të Mirit mes valës së kritikave
Written by radio wave on January 9, 2026
Përmes një reagimi të gjatë në Instagram, Landi ka dalë hapur në mbrojtje të mikut të tij, Mirit, pas gjithë urrejtjes dhe komenteve të ashpra që kanë qarkulluar ndaj tij kohët e fundit, veçanërisht pas deklaratës së bërë nga babai i Selin.
Sipas Landit, imazhi i Mirit në publik po deformohet qëllimisht dhe po hiperbolizohet nga rrjetet sociale dhe media, duke u mbështetur në disa momente të izoluara apo pamje të caktuara. Ai thekson se realiteti është krejt ndryshe nga ajo çfarë po serviret aktualisht.
“Miri nuk është ajo ç’ka qëllimisht po portretizohet e hiperbolizuar në mënyrën më sipërore në rrjete sociale apo tjetër, si shkak i një apo disa momenteve të caktuara, foto/video etj.”, shkruan ai, duke shtuar se miku i tij është ndjekur me kujdes të madh nga rrethi i ngushtë gjatë gjithë eksperiencës në “Big Brother”.
Landi nënvizon se, pavarësisht vëmendjes maksimale që kërkon një format i tillë, Miri nuk e meriton valën e ashpër të komenteve dhe sulmeve personale që po përjeton. Sipas tij, kritikat kanë kaluar çdo kufi dhe kanë marrë përmasa të panevojshme.
Reagimi i tij nuk u ndal vetëm te Miri si individ, por u zgjerua edhe te pasojat që këto sulme kanë për West Side Family si grup. Ai shprehet se ofendimet dhe akuzat nuk rëndojnë vetëm mbi një person, por prekin familjarë, miq dhe bashkëpunëtorë.
“Si grup, ne gjithmonë kemi qenë, jemi dhe do të jemi në kundërshti me antivlerat… Miri nuk i ka bërë keq askujt me dashje. As ne.”, thekson Landi, duke kujtuar se Miri ka një familje të respektuar, e cila nuk duhet të bëhet objekt sulmesh apo baltosjeje.
Megjithëse e cilëson gjithë situatën si të ekzagjeruar, Landi pranon se një reagim i tillë nga publiku ishte i pritshëm. Duke qenë pjesë e botës së spektaklit prej më shumë se 27 vitesh, ai shprehet se situata të ngjashme janë përjetuar edhe më parë, madje edhe në forma më të rënda.
“Kjo është një kosto që Miri, por edhe ne si West Side Family, kemi marrë përsipër”, shkruan ai, duke e cilësuar ekspozimin publik si një bekim dhe mallkim njëkohësisht. Megjithatë, Landi e bën të qartë se, pavarësisht kritikave, ata nuk do të reagojnë me të njëjtën gjuhë dhe nuk do të jenë pjesë e “gijotinës” publike.
Në fund, mesazh i tij mbetet një thirrje për më shumë maturi, drejtësi dhe përgjegjësi në gjykimet publike, sidomos kur bëhet fjalë për individë që kanë zgjedhur të jenë pjesë e spektaklit, por jo objekt i urrejtjes pa kufij.