Akuza të rënda ndaj Julio Iglesias: Dy gra pretendojnë abuzim seksual në vilat e tij në Karaibe
Written by radio wave on January 14, 2026
Këngëtari i njohur spanjoll Julio Iglesias është vënë në qendër të një skandali të rëndë, pasi dy gra kanë ngritur akuza për abuzim seksual ndaj tij. Sipas dëshmive të tyre, ngjarjet e dyshuara kanë ndodhur gjatë kohës kur ato punonin në vilat private të artistit në Karaibe.
Njëra prej grave, ish-shërbyese në shtëpitë e Iglesias, pretendon se është detyruar të kryejë marrëdhënie seksuale me të, duke përshkruar situata të dhunshme që përfshijnë shuplaka, abuzim fizik dhe verbal. Ajo pohon se ngjarjet kanë ndodhur në vitin 2021, në rezidencat e këngëtarit në Punta Cana, në Republikën Dominikane, dhe në Lyford Cay, në Bahamas.

Viktima, e cila flet me pseudonimin Rebecca dhe ishte 77 vjeç në atë kohë, ka deklaruar se Julio Iglesias e thërriste në dhomën e tij gjatë natës. “Ai më shfrytëzonte pothuajse çdo natë. Ndihesha si një objekt, si një skllave”, ka thënë ajo në intervista për elDiario.es dhe Univision Noticias. Rebecca shton se në një rast abuzimi ka ndodhur edhe në prani të një anëtari tjetër të stafit të shtëpisë.
Akuza të tjera janë ngritur edhe nga një fizioterapiste, e identifikuar vetëm si Laura, e cila gjithashtu ka punuar për Iglesias. Ajo pretendon se këngëtari e ka puthur në gojë, i ka prekur gjoksin dhe e ka ofenduar e poshtëruar verbalisht.
Gazetarët kanë tentuar të kontaktojnë Julio Iglesias për të marrë një reagim lidhur me këto akuza, por deri më tani ai nuk ka dhënë asnjë përgjigje publike.
Ndërkohë, një grua që sipas Rebeccës ishte superiore e saj në vilën e Punta Cana-s, ka hedhur poshtë pretendimet, duke i cilësuar ato si të pabazuara. Ajo ka deklaruar se Julio Iglesias është “një zotëri që respekton gratë”.
Çështja mbetet e hapur dhe pritet të shihet nëse do të ketë zhvillime të mëtejshme ligjore, ndërsa akuzat kanë shkaktuar reagime dhe diskutime të shumta në opinionin publik dhe median ndërkombëtare.