Rregulla të reja për influencerët dhe VIP-at online: NIPT në profil ose bllokim i llogarisë
Written by radio wave on January 19, 2026
Epoka e fitimeve “pa gjurmë” në rrjetet sociale duket se po shkon drejt fundit. Çdo bloger apo influencer që siguron të ardhura përmes përdorimit të platformave si Instagram, Facebook, TikTok, YouTube apo Google, tashmë konsiderohet zyrtarisht subjekt tregtar dhe është i detyruar të publikojë në llogarinë e tij ose saj të dhënat bazë të identifikimit.
Sipas ndryshimeve të fundit në ligjin “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, veprimtaria ekonomiko-tregtare përfshin edhe aktivitetin e ushtruar përmes internetit. Kjo do të thotë se çdo person që fiton para nga reklamat, bashkëpunimet komerciale apo përmbajtjet e sponsorizuara në rrjete sociale, duhet të bëjë publike informacione si NIPT-in, emrin e subjektit, adresën dhe kontaktin.
Në rast se këto të dhëna nuk publikohen, administrata tatimore dërgon fillimisht një njoftim zyrtar, duke kërkuar respektimin e udhëzimeve ligjore. Afati i përcaktuar për përmbushjen e këtij detyrimi është 15 ditë. Nëse edhe pas këtij afati nuk ka reagim, atëherë situata përshkallëzohet.
Sipas procedurës së re, administrata tatimore i drejtohet Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postave (AKEP), duke kërkuar bllokimin e përkohshëm të llogarisë përmes së cilës ushtrohet aktiviteti ekonomik. Pra, për influencerët dhe VIP-at online, mosrespektimi i ligjit mund të përkthehet drejtpërdrejt në “heshtje digjitale” të detyruar.
Këto masa nuk vijnë rastësisht. Pak muaj më parë, qeveria monitoroi llogaritë e rreth 100 influencërve dhe mediave online, për të cilët dyshohej se nuk kishin paguar detyrime tatimore mbi të ardhurat e përfituara nga platformat si Facebook, Instagram, YouTube, Google, TikTok dhe PayPal. Sipas të dhënave zyrtare, shuma e detyrimeve të papaguara arrinte në rreth 33 milion euro.
Ndryshimet ligjore po shihen si një sinjal i qartë se autoritetet janë të vendosura të vendosin rregull dhe transparencë në tregun e reklamave online dhe influencës digjitale. Për VIP-at e rrjeteve sociale, mesazhi është i qartë: fitimet nga interneti tashmë trajtohen njësoj si çdo biznes tjetër dhe shmangia e detyrimeve tatimore nuk do të tolerohet më.