“Muzet e mia artistike janë të përjetshme”: Fifi flet hapur për Florin Mumajesin dhe heshtjen që e rrethon
Written by radio wave on January 19, 2026
Fifi ka folur pa filtra për raportin e saj me Flori Mumajesin gjatë intervistës në “Grida Duma Podcast”, duke ndalur veçanërisht te mungesa e tij e gjatë nga muzika dhe misteri që vazhdon ta shoqërojë figurën e artistit.
E pyetur nga Grida Duma se çfarë po ndodh realisht me Florin dhe botën e tij artistike, Fifi u shpreh se nuk ka asnjë informacion të sigurt për të. “Unë nuk e di fare as ça bën Flori, as si është Flori. Kam pyt, por përgjigjet që kam marrë s’më kanë pëlqy,” tha ajo, duke shtuar se pa folur vetë me të, nuk i beson asgjëje që qarkullon në publik.
Sipas Fifit, rreth Florit qarkullojnë shumë fjalë, por shpesh ato rezultojnë të pavërteta. “Thuhen shumë llafe dhe dalin të mos jenë të vërteta,” u shpreh ajo, duke lënë të kuptohet se konfuzioni dhe mungesa e informacionit të saktë vetëm sa e thellojnë misterin rreth tij.
Në një nga momentet më emocionale të intervistës, këngëtarja e quajti Flori Mumajesin “muzën time artistike përjetësisht”, duke pranuar se komunikimi mes tyre është i ndërprerë. “I kam të bllokuara nga ai muret e komunikimit, nuk e di pse, por unë uroj shumë që ai të jetë mirë,” tha Fifi me ndjenjë të dukshme mallëngjimi.
Ajo theksoi se urimi i saj për Florin shkon përtej muzikës. “Jo vetëm muzika; ai si njeri. Lum ata që e kanë pas rastin me nejt me të,” u shpreh ajo, duke e përshkruar Florin si një person “dhënës” dhe tepër njerëzor në raportet me të tjerët.
Fifi la të kuptohet gjithashtu se zhgënjimi mund të ketë luajtur rol në tërheqjen e tij nga skena. “Është i zhgënjyer nga mosmarrja, prandaj është mbase në atë gjendje që është,” tha ajo, duke shtuar një tjetër këndvështrim mbi heshtjen e gjatë të artistit.
Rrëfimi i Fifit në “Grida Duma Podcast” ka rikthyer sërish vëmendjen te Flori Mumajesi, një nga emrat më të dashur të muzikës shqiptare, mungesa e të cilit vazhdon të ngjallë interes, mall dhe pikëpyetje të shumta te publiku.