ADELAJDA PINJOLLI E FTUARA SPECIALE NË ‘WAVE BREAKFAST SHOW’ ME ERGYS BAMCI
Written by radio wave on March 11, 2025
Mëngjesi në Radio Wave solli një bisedë të veçantë në emisionin “Wave Breakfast Show” me moderatorin Ergys Bamci. E ftuara speciale e këtij episodi ishte Adelajda Pinjolli, gazetare në Radio Tirana 1 dhe prezantuese e emisionit për fëmijë “Le të luajmë së bashku”.
Gjatë intervistës, Ergysi e pyeti për eksperiencën e saj me radion, dhe Adelajda u shpreh: “Kam një vit që merrem me radio, pra kjo është eksperienca ime e parë. Në Radio Tirana më ra në dorë një emision që ka 20 vite që transmetohet. Shpesh më mbushet studio plot me fëmijë, dhe përveç atmosferës që krijohet, ndonjëherë janë edhe shumë rrëmujaxhinj. Nuk është e lehtë të bësh emision për fëmijë, sidomos një emision radiofonik live.”
Ajo ndau gjithashtu një moment nga fillimet e saj në radio, duke theksuar se vështirësia kryesore ishte mosha dhe diferenca me pjesën tjetër të stafit. “Por kjo i përket vetëm ditëve të para. Në të ardhmen, pse jo, do të doja të bëj podcast”, u shpreh ajo.
Një nga episodet më të bukura të emisionit të saj ka qenë ai për bullizmin. “Ndodhi krejt rastësisht, sepse një nga fëmijët u shpreh në episodin e mëparshëm se ishte bullizuar, dhe kjo më frymëzoi për të bërë një episod të dedikuar për këtë temë. U çudita se sa shumë u angazhuan fëmijët në atë episod”, tregoi ajo.
E pyetur për eksperiencën e saj në televizion, Adelajda pranoi se është një sfidë e re për të. “Më duhet pak kohë sa të mësohem me teknikën televizive. Pata një eksperiencë në emisionin e Teta Ketit, dhe mu duk e vështirë, por jo e pamundur”, tha ajo.
Biseda e ngrohtë dhe energjia pozitive e këtij episodi të “Wave Breakfast Show” sollën një tjetër mëngjes plot dinamizëm për dëgjuesit e Radio Wave, duke sjellë një perspektivë të re mbi sfidat dhe kënaqësitë e të qenit prezantuese e një emisioni për fëmijë.