Adelina Pali: “Festivali i poezisë ishte diçka që mungonte”
Written by radio wave on November 13, 2025
Në studion e Radio Wave, poetja dhe piktorja Adelina Pali foli me ndjeshmëri për rrugëtimin e saj krijues dhe për festivalin që ajo vetë ka themeluar — “Nën Dritën e Fjalës”, një nismë që po e vendos poezinë në qendër të vëmendjes kulturore.
Ajo tregoi se ideja për festivalin lindi nga një boshllëk që kishte ndjerë prej kohësh në skenën artistike:
“Festivali i poezisë ishte diçka që mungonte. Doja të krijoja një hapësirë ku poetët të takohen, të ndajnë vargjet e tyre, të interpretohen dhe të vlerësohen për punën që bëjnë.”

Adelina ndau gjithashtu historinë prekëse të poezive të saj, të cilat i kishte ruajtur për 23 vite pa i publikuar:
“Gjithmonë i kam parë me kujdes, me frikën se si do më gjykonin apo si do i priste publiku. Por erdhi momenti që i lashë të flasin vetë.”
Sot ajo fton çdo poet dhe shkrimtar që të mos i mbajë më në heshtje krijimet e veta, por t’i botojë dhe t’i ndajë me lexuesin.
Në intervistë, Adelina theksoi se festivali do të pasohet nga edicione të tjera dhe se puna e saj në letërsi nuk ndalet këtu — duke paralajmëruar botime të reja që janë tashmë në proces.
E frymëzuar nga familja dhe fëmijët, ajo rrëfeu se jeta në Kretë, ku jetoi për 12 vite, ka lënë gjurmë të thella në jetën e saj, pasi atje u bë nënë dhe nisi rrënjët e para të një jete të re.

Në përfundim të bisedës, u ndal edhe tek Panairi i Librit, i cili këtë vit, ndryshe nga edicionet e kaluara, nuk ka të njëjtin entuziazëm për shkak të mungesës së shumë botimeve të reja.
Megjithatë, sipas saj, mbetet një mundësi e artë për të lexuar, për t’u takuar me autorët dhe për të shkëmbyer mendime me librin si mik i përhershëm.
Me një pasion që shndërrohet në dritë, Adelina Pali po e rikthen poezinë si një urë lidhëse mes ndjenjës, artit dhe jetës së përditshme.