AKTORI JUL NENSHATI NË RADIO WAVE: “THE SPARK” SJELL NJË HISTORI QË NDeZ ZEMRAT DHE REFLEKTIMIN
Written by radio wave on November 10, 2025
Sot në studion e Radio Wave ishte i ftuar aktori i njohur i kinematografisë shqiptare, Jul Nenshati, një emër që ka lënë gjurmë në artin shqiptar dhe që prej më shumë se 35 vitesh jeton në Massachusetts, Boston, ku ka ndërtuar jetën dhe karrierën e tij.
Në intervistën e dhënë për Radio Wave, Nenshati foli për filmin më të ri “The Spark”, me skenar të Erand Sojlit, i cili ka premierën sot në Cineplexx TEG dhe do të shfaqet gjatë gjithë javës për publikun shqiptar.
Aktori tregoi se ky projekt ka qenë i veçantë për të që në hapat e parë, rreth pesë vite më parë, kur ideja e filmit po merrte formë. “The Spark” trajton temën e korrupsionit dhe ndikimit të tij në nivelet më të larta të pushtetit, duke ardhur në një moment që përkon në mënyrë simbolike me zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe ngritjen e SPAK-ut.
Megjithëse korrupsioni është në qendër të konfliktit, filmi shkon përtej tij, duke vënë në pah vlerat njerëzore dhe integritetin moral, që pavarësisht sfidave, arrijnë të triumfojnë.
Subjekti ndjek historinë e një personazhi që ka luftuar krimin në Shqipëri dhe është detyruar të zhvendoset në SHBA nën programin e mbrojtjes “White Protection”. Edhe pse ka zbatuar me ndershmëri detyrën dhe ka kontribuar në dënimin e figurave të rënda të botës së errët, ai përballet sërish me presion dhe kërcënime, ndërsa dikush kërkon prej tij të firmosë një listë emrash të lidhur me krimin. Personazhi refuzon të dorëzohet, duke qëndruar i palëkundur ndaj çdo kompromisi. Rolin e funksionarit që e teston integritetin e tij e interpreton pikërisht Jul Nenshati, në një paraqitje të fuqishme dhe emocionale.
Edhe pse “The Spark” është një film fiction, temat dhe emocionet që sjell janë të prekshme dhe të afërta me realitetin e sotëm shqiptar. Një detaj i veçantë është mbështetja e madhe që komuniteti shqiptar në SHBA i ka dhënë këtij projekti, duke ndihmuar në çdo fazë të prodhimit.
“The Spark” është më shumë se një film — është një histori me zemër, me mesazh dhe me reflektim.
Publiku mund ta ndjekë çdo ditë në Cineplexx, në të gjitha oraret e shfaqjes.
Një rikthim i bujshëm i Jul Nenshatit në kinemanë shqiptare, që ndez jo vetëm ekranin, por edhe ndërgjegjen.