ALFONS LAZRI NË “WAVE BREAKFAST SHOW”: E ARDHMJA E RRJETEVE SOCIALE DHE PASIONI PËR MUZIKËN
Written by radio wave on March 10, 2025
Në episodin e sotëm të “Wave Breakfast Show” me Ergys Bamcin, i ftuari special ishte Alfons Lazri, ekspert Mobile Developer, i cili ndau mendimet e tij mbi rrjetet sociale dhe të ardhmen e tyre, veçanërisht në kontekstin shqiptar.
I pyetur se cilin rrjet social përdor më shumë, Lazri u përgjigj se Instagrami mbetet zgjedhja e tij kryesore, pasi është platforma më e lehtë për promovim dhe krijimin e vëmendjes. Sipas tij, Instagrami ofron një algoritem më të personalizuar, ndryshe nga TikTok, i cili fokusohet kryesisht në video virale.
Duke folur për anët negative të rrjeteve sociale, Lazri theksoi se përmbajtja negative është bërë një problem serioz dhe se duhet një filtrim më i mirë për të reduktuar ndikimin e saj. Ndërkohë, sa i përket platformave më të rëndësishme për artistët, ai renditi YouTube dhe Spotify si dominuese, duke vendosur kompaninë Meta në vend të tretë për lehtësinë dhe organizimin e mirë të materialeve artistike.
Kur u pyet për WhatsApp, ai dha një përgjigje të shkurtër, duke thënë se ky aplikacion ka thjeshtësuar komunikimin, duke zëvendësuar mesazhet tradicionale, por nuk ka ndonjë ndikim të madh në botën e rrjeteve sociale.
Një temë interesante ishte edhe dallimi mes përdorimit të rrjeteve sociale në Shqipëri dhe jashtë vendit. Sipas Lazrit, në Shqipëri më shumë pëlqehet “zhurma” sesa rezultatet konkrete, një fenomen që ndikon në mënyrën se si platformat funksionojnë dhe si përdoruesit ndërveprojnë me to. Ai gjithashtu parashikon se në vitin 2025, me mbylljen e TikTok-ut, aplikacioni më i dashur për shqiptarët do të mbetet Instagrami.
Përtej ekspertizës së tij në zhvillimin e aplikacioneve mobile, Alfonsi zbuloi një tjetër pasion të tij – muzikën. Ai tregoi se po përgatitet për të publikuar materiale të reja muzikore, pasi përveç teknologjisë, një vend të veçantë në jetën e tij zë edhe muzika, veçanërisht kitarra.
Biseda e sotme në “Wave Breakfast Show” ishte një kombinim i teknologjisë dhe artit, duke sjellë një perspektivë të re mbi ndikimin e rrjeteve sociale dhe pasionet personale që i japin kuptim jetës.