AMANETI I LIAM PAYNE DUKET SE PO REALIZOHET…ONE DIRECTION MUND Të RIBASHKOHET
Written by radio wave on November 14, 2025
Pas viteve të gjata larg grupit dhe marrëdhënieve të tensionuara, Zayn Malik ka bërë një rikthim të papritur në jetën profesionale të One Direction. Artisti, i cili në vitin 2015 u largua nga grupi për t’iu përkushtuar karrierës solo, është emëruar së fundmi Drejtor Biznesi në PPM Music Limited, një rol që tashmë e ndajnë edhe anëtarët e tjerë Harry Styles, Louis Tomlinson dhe Niall Horan.
Ky zhvillim ka ndezur menjëherë spekulimet rreth një ribashkimi të mundshëm, sidomos pasi humbja tragjike e Liam Payne vitin e kaluar në Argjentinë në moshën 31-vjeçare i ka afruar sërish ish-anëtarët e grupit. Sipas burimeve të afërta, kjo tragjedi ka krijuar një lidhje të re emocionale mes tyre, duke i rikthyer në komunikim të vazhdueshëm.

Një burim për The Sun tha se ndarja nga jeta e Liam ka zgjuar te djemtë një dëshirë të fortë për të bërë diçka së bashku në nder të tij. Zayn dhe Louis kanë nënshkruar gjithashtu një marrëveshje shumë milionëshe për të udhëtuar drejt SHBA-së, ku pritet të diskutojnë jetën e tyre pas viteve të shkëputjes dhe humbjen e mikut të tyre.
Një tjetër moment i rëndësishëm ka qenë pjesëmarrja e të katërve në funeralin e Liam, hera e parë pas shumë kohësh që shiheshin në të njëjtin vend. Ky ribashkim i heshtur ka përçuar një mesazh solidariteti, duke i hapur rrugë mundësisë që historia e One Direction të marrë një kapitull të ri.
Grupi, i formuar në skenën e “The X Factor” në vitin 2010, ka shitur mbi 70 milionë albume dhe ka dominuar skenën botërore të muzikës pop. Fansat tani po presin me padurim nëse këto zhvillime do të shndërrohen në rikthimin më të shumëpritur në historinë e muzikës moderne.