Anastasia Chinello: Vajza që po bashkon gratë dhe vajzat në Tiranë
Written by radio wave on November 13, 2025
Nga një ide e lindur në mes të natës, në vetëm pak javë, ajo arriti të krijojë një komunitet që po frymëzon dhe bashkon dhjetëra vajza në kryeqytet.
Anastasia Chinello — me origjinë italiane dhe ruse, e rritur në Itali dhe me përvojë në Londër e Spanjë — vendosi vetëm një muaj më parë të zhvendosej në Tiranë. Ajo thotë se erdhi pa njohur askënd, por gjeti këtu frymëzimin për të ndërtuar diçka të bukur.
Një postim i thjeshtë në Instagram: “Hi girls, would you like to join a community?” u bë pikënisja e një lëvizjeje. Brenda 24 orësh, Anastasia mori dhjetëra mesazhe nga vajza që kërkonin lidhje, miqësi dhe një ambient pozitiv. Kështu lindi Girls Community Tirana, e cila sot numëron mbi 160 anëtare dhe po rritet çdo ditë.
Filozofia e grupit është “Safe & Peace” – një hapësirë e sigurt dhe pa paragjykime ku çdo vajzë ndjehet e mirëpritur. Anëtaret janë nga fusha të ndryshme: art, dizajn, sipërmarrje, marketing dhe sport – të gjitha të bashkuara nga dëshira për mbështetje dhe energji pozitive.
Komuniteti organizon aktivitete javore si yoga, pikturë, darka tematike dhe udhëtime kulturore. “Nuk ka konkurrencë, ka mbështetje dhe shumë dashuri,” – thotë Anastasia, e cila tashmë e quan Tiranën “shtëpinë e saj të re”.
Për t’u bërë pjesë e Girls Community Tirana, mjafton të kontaktoni përmes Instagramit zyrtar të grupit.
Një nismë e vogël që po shndërrohet në një simbol të solidaritetit dhe forcës së grave në Tiranën moderne.