Current track

Title

Artist

ANILA BISHA ZBULON HISTORINË PAS “DIELLËS”: IMAZHI I SAJ ËSHTË MINISTRE VIRTUALE DERI NË DHJETOR

Written by on September 17, 2025

Diella, fytyra e njohur nga aplikacioni e-Albania, fitoi edhe më shumë famë pasi kryeministri Edi Rama e shpalli si ministren e parë virtuale në botë. Por, pas këtij imazhi që tashmë i njeh e gjithë Shqipëria, qëndron aktorja e mirënjohur Anila Bisha.

E ftuar në emisionin Opinion, Bisha sqaroi se kontrata e saj është e vlefshme deri në dhjetor 2025 dhe se ajo ka rënë dakord që imazhi i saj të përdoret vetëm për shërbimin e-Albania, jo për krijimin e një ministre virtuale të plotë.

“Kontratën për një vit e kam. Diella e e-Albania është deri në dhjetor 2025. Jam vetëm imazhi, fytyra dhe zëri”, – tha aktorja.

Bisha tregoi se procesi i regjistrimit të zërit ka qenë i lodhshëm, pasi ka realizuar mbi 5 orë incizime për të mundësuar funksionimin e platformës.

E pyetur nga Blendi Fevziu për pagesën që ka marrë, aktorja u shpreh me humor:

“Po ta dija që do të ishte Diella kaq e famshme, do kisha marrë më shumë. Kam marrë vetëm për Diellën e e-Albania, jo për Diellën ministre.”

Bisha rrëfeu gjithashtu se ishte kontaktuar nga Teatri Kombëtar në bashkëpunim me AKSHI dhe Ministrinë e Kulturës për këtë projekt, të cilin ajo e pranoi si një eksperiencë artistike dhe profesionale pozitive.

Ndërkohë, fama e saj si “ministre virtuale” ka sjellë shumë reagime me humor, urime dhe surpriza nga publiku.

“Kur e dëgjova kryeministrin, u habita. E mora me sportivitet. Urime mora plot, sa të duash,” – shtoi aktorja.

Pavarësisht kontratës që skadon në fund të vitit, imazhi i Diellës tashmë është bërë pjesë e kulturës digjitale në Shqipëri, duke hapur diskutime të gjera për përdorimin e Inteligjencës Artificiale në administratë dhe imazhin publik.


Reader's opinions

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Current track

Title

Artist