Apple Music shpall listat e fundvitit dhe emëron Tyler, The Creator si Artistin e Vitit 2025
Written by radio wave on November 24, 2025
Ndërsa nëntori po i lë ditët e fundit dhe atmosfera festive po afrohet, Apple Music ka publikuar tradicionalisht listat e tij vjetore me këngët dhe artistët që kanë dominuar vitin 2025. Krahas përmbledhjeve të zakonshme, platforma ka shpallur edhe Artistin e Vitit – një titull që këtë herë i ka shkuar reperit amerikan Tyler, The Creator.
Apple Music ka përzgjedhur këngët kryesore në disa lista të dedikuara, duke mbuluar pothuajse çdo zhanër. Në kategorinë Pop Hits kryeson Lady Gaga me “Abracadabra”, ndërsa në Today’s Hits spikat Justin Bieber me “YUKON”. Olivia Dean merr vëmendjen në Superbloom me këngën “Man I Need”, ndërsa në R&B Now vendin e parë e mban bashkëpunimi i Cardi B dhe Kehlani me “Safe”.
Në ALT CTRL kryeson Lola Young me “One Thing”, në Viral Hits dominon Drake me “NOKIA”, ndërsa Travis Scott zë qendrën e Rap Life me “KICK OUT”. Në kategorinë Alpha, Rosalía udhëheq me këngën “La perla”.

Por qendra e vëmendjes mbetet Tyler, The Creator, i cili ka pasur një vit jashtëzakonisht produktiv dhe të suksesshëm. Në fillim të 2025-s, ai u nis në turne botëror me albumin e tij “CHROMAKOPIA”, i cili theu rekordet e platformës në transmetimet ditore dhe javore. Mes turneut, ai surprizoi fansat me një tjetër album, “DON’T TAP THE GLASS”, që u ngjit menjëherë në vendin e parë në më shumë se 55 vende vetëm në ditën e publikimit.
Çmimi “Artisti i Vitit” nga Apple Music nuk është thjesht simbolik. Fituesi merr një trofe unik – një pllakë silikoni të personalizuar, të vendosur midis një flete të lëmuar qelqi dhe një strukture alumini të anodizuar, i punuar sipas standardeve të larta të dizajnit të Apple.
Vitet e fundit, ky çmim ka shkuar për emra të mëdhenj të industrisë: Billie Eilish e fitoi dy herë, duke shënuar histori në vitin 2024, ndërsa në vitin 2023 nderimi i takoi Taylor Swift.
Me listat e reja dhe shpalljen e Artistit të Vitit, Apple Music vendos pikën përfundimtare në muzikën e 2025-s, duke e përgatitur terrenin për vitin e ardhshëm dhe artistët që pritet të shkëlqejnë.