AQSHF PUBLIKON FOTON E RRALLË TË MARGARITA XHEPËS, KRAHASOHET ME SHARON STONE NË “BASIC INSTINCT”
Written by radio wave on September 2, 2025
Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit ka surprizuar ndjekësit me një postim të veçantë në rrjetet sociale, duke sjellë një foto të rrallë të aktores së njohur shqiptare Margarita Xhepa nga filmi “Vitet e Para” (1965).
Në këtë publikim, imazhi i Xhepës është vendosur përballë një skene ikonike të aktores së famshme Sharon Stone në filmin “Basic Instinct” (1992), duke krijuar një paralelizëm vizual mes dy epokave të ndryshme të kinemasë.
Sipas AQSHF, fotografia e Margarita Xhepës është marrë nga arkivi i filmit të vitit 1965, me regji të Kristaq Dhamo dhe skenar të Fatmir Gjatës. Ndërsa krahasimi është bërë me një nga momentet më të njohura të filmit të Paul Verhoeven, i cili ka hyrë në historinë e kinemasë botërore për guximin dhe provokimin e tij.
Në foto, Xhepa shfaqet në një pozë joshëse dhe tërheqëse, që duket se sfidonte normat e ashpra të realizmit socialist, duke e bërë praninë e saj në ekran një moment unik për kohën.
“Sepse ne jemi Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, ose kinemaja që s’ka mbaruar kurrë”, thuhet në postimin e AQSHF, i cili ka ngjallur interes dhe komente të shumta nga ndjekësit.