AZET ANULON KONCERTET, POR SJELL LAJM TË MIRË PËR FANSAT
Written by radio wave on September 9, 2025
Reperi i njohur, Azet, ka surprizuar ndjekësit me një njoftim të papritur në rrjetet sociale, ku bëri të ditur se do të tërhiqet për një kohë nga muzika.
Ai shpjegoi se është i detyruar të anulojë koncertet e planifikuara, përfshirë edhe “Release-Show”-n e 19 shtatorit, për arsye familjare.
Megjithatë, artisti solli edhe një lajm të mirë për fansat: publikimin e albumit të ri, të titulluar “Playboys im AMG”, i cili do të dalë më 19 shtator, siç ishte paralajmëruar prej kohësh.

Në postimin e tij, Azet u shpreh:
“Jam shumë i lumtur që më në fund do ta ndaj këtë album me ju dhe jam tepër i emocionuar të shoh se si do ta prisni. Së bashku me albumin do të publikohet edhe një këngë e fundit me një kombinim të veçantë, diçka që nuk është dëgjuar më parë”.
Ai shtoi se në jetë ndodhin situata të paparashikuara dhe për këtë arsye i duhet të tërhiqet përkohësisht, por premtoi rikthim me më shumë forcë se kurrë.
“Do të kthehem më i fortë se kurrë! Faleminderit shumë për mirëkuptimin dhe mbështetjen tuaj!”, përfundoi reperi.