Current track

Title

Artist

Benita shpërthen ndaj produksionit dhe hedh akuza për manipulim

Written by on February 23, 2026

Eliminimi i Benitës në gjysmëfinalen e Big Brother VIP Kosova ka shkaktuar një valë reagimesh të forta në rrjetet sociale. Pas një përballjeje të ashpër me Hygerta Sako, ish-banorja u largua nga gara, por drama duket se sapo ka nisur jashtë shtëpisë.

Menjëherë pas eliminimit, Benita publikoi disa Instastory me tone të ashpra, të cilat u fshinë shpejt, por jo para se ndjekësit t’i ruanin dhe t’i shpërndanin masivisht në internet. Në mesazhet e saj, ajo i drejtohej drejtpërdrejt producentes Olsa Muhameti, duke ngritur dyshime serioze për manipulim dhe skenarë të paracaktuar.

“Olsa, kam shumë pyetje për ty… Fjala ishte që unë të shkoja në finale. Çfarë ndodhi? Pse nuk shkova, kur i kisha votat dhe gjithçka? Çfarë ndryshoi?”, shkruante ajo, duke lënë të kuptohet se eliminimi nuk ishte i rastësishëm.

Akuza më e fortë lidhej me pretendimin se largimi i saj mund të ketë qenë një “ndëshkim” për mospranimin e një romance të sugjeruar nga produksioni. “A është kjo arsyeja e vërtetë? Sepse unë nuk desha të jem me Klodin?”, shtoi Benita, duke hedhur më shumë benzinë në debat.

Por polemika nuk u ndal këtu. Ish-banorja deklaroi se di emrin e fituesit të këtij edicioni dhe se, sipas saj, rezultati është vendosur nga produksioni. Ajo përjashtoi një nga emrat më të përfolur, duke thënë: “Fituesi është zgjedhur nga produksioni. Dhe jo, nuk është Elijona. Pasi mua më nxorën padrejtësisht, kam vendosur të flas hapur”.

Këto deklarata kanë ndezur diskutime të zjarrta mes fansave të formatit, duke e kthyer këtë situatë në një nga momentet më të komentuara të sezonit. Ndërkohë, produksioni i Klan Kosova nuk ka reaguar ende publikisht, ndërsa publiku pret me interes zhvillimet e radhës në një garë që tashmë është shndërruar në spektakël edhe jashtë ekranit.


Reader's opinions

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Current track

Title

Artist