Big Basta: Radio Wave po rritet me ritme të shpejta, 2026 do të jetë një vit shumë i fortë
Written by radio wave on December 17, 2025
Radio Wave po përjeton një fazë të rëndësishme konsolidimi dhe zhvillimi, duke u kthyer në një nga platformat më dinamike dhe konkurruese në tregun mediatik shqiptar. Kështu u shpreh drejtori artistik i Radio Wave, Big Basta, i cili foli për rritjen e ndjeshme të radios dhe për programacionin tashmë të strukturuar dhe të qëndrueshëm.
Sipas tij, Radio Wave ka njohur një zhvillim të shpejtë brenda vetëm një viti, duke u përqafuar jo vetëm nga publiku i ri, por edhe nga dëgjues të moshave më të rritura, falë një kombinimi mes muzikës, informacionit dhe formateve inovative.
Një nga risitë kryesore të këtij sezoni është nisja e një programi të ri, i cili fillon transmetimin sot, më 17 dhjetor, në orën 20:15. Programi titullohet “Rap Shtet” dhe i dedikohet plotësisht kulturës Hip Hop, duke trajtuar jo vetëm muzikën, por edhe historinë, mesazhet sociale dhe identitetin urban që ky zhanër përfaqëson.
Big Basta bëri të ditur gjithashtu se programi “Garage Lock”, i moderuar nga Renis Gjoka dhe Eugent Bushpepa, ka nisur bashkëpunimin me Radio Wave, duke sjellë performanca live, energji dhe autenticitet artistik në programacion.
Një tjetër risi e rëndësishme është formati “Të dish apo të kesh, më mirë të dyja”, një program i fokusuar në edukimin financiar dhe investimet, i cili synon të informojë dhe ndërgjegjësojë dëgjuesit mbi rëndësinë e menaxhimit të financave personale dhe ndërtimit të një të ardhmeje të qëndrueshme ekonomike.
Programacioni i Radio Wave përfshin gjithashtu rubrika të përditshme të moderuara nga inteligjenca artificiale, si lajmet, horoskopi dhe përmbajtje të tjera informative, duke e pozicionuar radion si një media moderne, teknologjikisht të avancuar dhe inovative.
Duke folur për të ardhmen, Big Basta theksoi se viti 2026 pritet të jetë shumë premtues për Radio Wave, me përmbajtje edhe më të pasur si në frekuencat FM, ashtu edhe në platformat sociale. Dëgjuesit do të kenë mundësinë të shijojnë rubrika argëtuese, muzikën ikonike të viteve ’90 dhe humorin karakteristik që e ka bërë Radio Wave të dallueshme.
Në fund, ai u ndal edhe te skena e hip hop-it shqiptar, duke kujtuar se dikur ky zhanër paragjykohej nga artistë që vetë përdornin muzikë të vjedhur, por që megjithatë nënvlerësonin hip hop-in. Sot, sipas Big Bastës, hip hop-i shqiptar ka arritur një nivel të lartë artistik dhe është një nga zhanret më të respektuara dhe më me ndikim në muzikën shqiptare.