Chiara Ferragni përballet me kërkesë-dënimin më të rëndë të karrierës: Prokuroria kërkon 1 vit e 8 muaj burg për influencuesen më të famshme italiane
Written by radio wave on November 26, 2025
Drama në botën e showbiz-it dhe rrjeteve sociale ka arritur kulmin në Milano, ku Chiara Ferragni – një nga influencueset më të mëdha në Europë – po përballet me kërkesa dënimi që mund të trondisin imazhin e saj publik. Prokurori i përgjithshëm Eugenio Fusco dhe prokurori Cristian Barilli kërkuan 1 vit e 8 muaj burg për Ferragni-n, e akuzuar për mashtrim të rënduar lidhur me reklamat e “Pandoro Pink Christmas” dhe vezëve të Pashkëve.
Sipas akuzës, bazuar në hetimet e Guardia di Finanza, gjatë periudhës 2021–2022 Ferragni dhe bashkëpunëtorët e saj dyshohet të kenë mashtruar konsumatorët duke promovuar produkte që pretendonin bamirësi, ndërkohë që fondet – rreth 2.2 milionë euro – nuk ishin realisht të destinuara për këtë qëllim. Prokuroria e cilëson këtë si mashtrim të plotë që përfitoi nga besimi i ndjekësve të saj të shumtë.

Nga ana tjetër, Ferragni ka mohuar në mënyrë kategorike çdo akuzë. Në sallën e gjyqit, ajo ka treguar versionin e saj të ngjarjeve, ka folur për karrierën, për bamirësitë e kryera ndër vite dhe ka theksuar se gjithçka është bërë “me mirëbesim”.
“Askush prej nesh nuk ka përfituar. Jam optimiste,” u shpreh ajo, duke lënë gjykatën në heshtje dhe nën vëzhgimin e gazetarëve që prisnin reagime të mëtejshme.
Në këtë proces, Ferragni përfaqësohet nga avokatët Giuseppe Iannaccone dhe Marcello Bana, të cilët insistojnë se klientja e tyre nuk ka kryer asnjë vepër penale dhe se çështja administrative është mbyllur prej kohësh, me donacione totale që arrijnë deri në 3.4 milionë euro.

Prokuroria kërkoi gjithashtu dënime për bashkëpunëtorët e saj: 1 vit burg për Francesco Cannillo, president i Cerealitalia-ID, dhe 1 vit e 8 muaj për Fabio Damato, ish-krahu i djathtë i Ferragni-t.
Në këtë proces është pranuar edhe kërkesa e shoqatës “La casa del consumatore” për t’u paraqitur si palë civile, ndërsa shuma e dëmshpërblimit pritet të përcaktohet. Avokati i shoqatës deklaroi se “ka konsumatorë të mashtruar”, duke theksuar edhe më shumë peshën e çështjes.
Seanca e radhës, më 19 dhjetor, i dedikohet mbrojtjes, ndërsa vendimi final do të jepet në janar – një moment që pritet me ankth jo vetëm nga Chiara Ferragni, por edhe nga miliona ndjekës në mbarë botën.