Deklarata e Arbanës ndez rrjetin në “Ferma VIP”: reagime të forta dhe kërkesë faljeje live
Written by radio wave on March 31, 2026
Një moment i vetëm gjatë transmetimit të mbrëmshëm të “Ferma VIP” ka mjaftuar që Arbana Osmani të përfshihet në një valë kritikash në rrjetet sociale, duke e kthyer emisionin në një nga temat më të diskutuara të natës.
Gjatë një bisede me banorin Akil Varfi, teksa po diskutonin për debatet dhe tensionet brenda fermës, moderatorja përdori një shprehje që u interpretua menjëherë si e papërshtatshme: “ke marrë pak si pushka e jevgut.”
Fjala “jevgjit”, e përdorur prej vitesh në zhargonin popullor, u konsiderua nga shumë ndjekës si term ofendues dhe diskriminues ndaj një komuniteti, duke shkaktuar reagime të menjëhershme në rrjete sociale. Komentet kritikuese u shumuan brenda pak minutash, ku përdorues të shumtë kërkuan më shumë kujdes nga një figurë publike me ndikim të madh.
“Kujdes me shprehjet”, “Ke fyer një komunitet”, “100 vjet në televizion dhe akoma nuk kanë mësuar se cilat shprehje janë diskriminuese?” ishin ndër reagimet më të përsëritura në postime dhe komente, ku shumë ndjekës e cilësuan deklaratën si të papranueshme për një ekran kombëtar.
Presioni i rrjetit duket se u reflektua edhe në vetë programin, pasi pak çaste më vonë Arbana reagoi duke kërkuar falje për shprehjen e përdorur. Ajo sqaroi se nuk kishte pasur asnjë qëllim ofendues, duke theksuar se nuk është raciste dhe se deklarata ishte thënë pa menduar ndikimin që mund të kishte.
Ngjarja ka hapur sërish diskutimin mbi gjuhën që përdoret në televizion dhe ndikimin që figurat publike kanë në normalizimin e shprehjeve të caktuara, sidomos kur ato mund të perceptohen si përbuzëse ndaj komuniteteve të ndryshme.
Megjithëse falja u bë menjëherë në transmetim, rrjeti vazhdon të reagojë, duke e kthyer këtë episod në një tjetër moment viral të “Ferma VIP”.