Current track

Title

Artist

DITA BOTËRORE E RADIOS FESTOHET NË “WAVE BREAKFAST SHOW” ME IKONËN E MEDIAS KOZETA KURTI

Written by on February 13, 2025

Sot, në emisionin radiofonik “Wave Breakfast Show” në Radio Wave, i moderuar nga Ergys Bamci, u festua Dita Botërore e Radios me një të ftuar speciale në lidhje telefonike – gazetarja dhe ikona e medias, Kozeta Kurti. Gjatë intervistës, ajo ndau mendimet e saj mbi rolin e radios dhe evoluimin e saj në Shqipëri.

E pyetur për fuqinë dhe ndikimin e radios te publiku, Kurti u shpreh: “Radio ka supremacinë e të folurit, ku dëgjuesit i duket sikur u flet vetëm atij. Radio nuk mund të bëhet dot nga kushdo, sepse kërkon kujdes në të shprehur. Ata që kanë prezantuar në radio, e kanë më të lehtë trampolinën për të prezantuar në TV.”

Duke reflektuar mbi ndryshimet e radios në Shqipëri, ajo shtoi: “Në fillim të viteve ‘90, radiot nuk ishin si sot. ‘Hit Parade’ ishte një magji. Atëherë kishte uri për diçka të re, për të cilën nuk kishte një model. Radio në ato vite ishte një mjet komunikimi për të informuar publikun, dhe jo shumë për argëtim. Që kur isha gjimnaziste, punoja në gazetën e shkollës, dhe kur më erdhi ftesa për radio, u ndjeva e privilegjuar. Sot, radio ‘shihet’, nuk është më magjia e radios së atëhershme.”

Kurti gjithashtu theksoi se në ditët e sotme, teknologjia ka transformuar mënyrën se si radio arrin tek publiku: “Sot ka një mundësi që radio të shkojë më shpejt tek dëgjuesi, dhe ‘radio nuk flet më vetëm një herë’. Në çdo shtet të zhvilluar, radio ka prezencë kudo.”

Me këtë reflektim mbi evolucionin e radios dhe rëndësinë e saj të vazhdueshme, “Wave Breakfast Show” solli një diskutim të vlefshëm për një nga mjetet më të fuqishme të komunikimit, duke nderuar historinë dhe të ardhmen e radios në Shqipëri.


Reader's opinions

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Current track

Title

Artist