dita e rinisë: Sadiola Xhelili në Radio Wave 108 FM
Written by radio wave on December 8, 2025
Sot, më 8 Dhjetor – Dita e Rinisë, në Radio Wave patëm kënaqësinë të kishim në studio Sadiola Xhelilin, një prej zërave më energjikë dhe më të shumëanshëm të gazetarisë sonë. Prania e saj në këtë ditë simbolike ishte edhe më kuptimplotë, sepse Sadiola erdhi pikërisht për të folur për pasionin, guximin dhe rrugët që të çojnë aty ku e ndjen zemra.
Gjatë bisedës, Sadiola zbuloi se përveç karrierës në media, ajo po e ndjek me seriozitet edhe një pasion të hershëm – muzikën. Së fundmi ka nisur ta zhvillojë profesionalisht dhe është duke punuar mbi një projekt të ri muzikor që pritet të publikohet pas Vitit të Ri.
E njohur për aftësinë e saj për të balancuar shumë gjëra njëkohësisht, Sadiola është një multitasker e vërtetë. Paralelisht me punën dhe projektet kreative, ajo vijon Doktoraturën në PR Politik, ku po realizon një studim interesant për komunikimin vizual të Kryeministrit Edi Rama. Ajo po analizon transformimin vizual të figurës së tij përgjatë një dekade dhe thekson se ndryshimet në imazh kanë qenë të mëdha dhe domethënëse në raport me publikun.
Në atmosferën e Ditës së Rinisë, Sadiola dha edhe një mesazh të ngrohtë urimi për të gjithë të rinjtë shqiptarë, duke i inkurajuar të ecin përpara pa frikë, të bëjnë zgjedhje të guximshme dhe të ndjekin pasionet e tyre, edhe kur rruga duket e paqartë.
Me sinqeritet, thjeshtësi dhe shumë energji pozitive, Sadiola sot na kujtoi se rrugëtimi i njeriut bëhet më i bukur kur e udhëheq pasioni.