Divorcet po shpërthejnë në Shqipëri, Avokatja Dea Toçi tregon prapaskenat që s’i thotë askush
Written by radio wave on November 24, 2025
Në episodin e sotëm në Radio Wave, studioja u ndez nga një temë që po bëhet gjithnjë e më e nxehtë në Shqipëri: divorci. E ftuar ishte avokatja, juristja dhe poetja Dea Toçi, e cila foli hapur, drejt dhe pa diplomaci për realitetin e ri shqiptar, ku në disa zona numri i divorceve ka filluar të kalojë edhe martesat, sipas shifrave të INSTAT.
Toçi zbuloi se krizat ekonomike, emigracioni dhe ndryshimet sociale po e “shkërmoqin” familjen tradicionale shqiptare. Shumë burra, sipas saj, krijojnë jetë paralele jashtë vendit, ndërsa familjet e tyre në Shqipëri përfundojnë në ndarje. “Distanca e vret çiftin. Pasiguria, presioni financiar dhe ritmi i ri i jetës bëjnë që martesa të mos mbajë më,” tha ajo.
Por sa kushton një divorc sot? Avokatja e bëri shumë të qartë: një proces i tillë nuk është aspak i lirë. Nga 500 deri në 2000 euro shkojnë thjesht për avokatin, rreth 500 euro të tjera për psikologun kur ka fëmijë, dhe shpenzimet gjyqësore ndahen përgjysmë mes bashkëshortëve. Një faturë që shpesh e rëndon edhe më shumë çiftin që tashmë është në krizë.

Një moment i fortë në studio ishte kur u trajtua miti i famshëm: “A të shpëton divorci nga sekuestrimi i pasurisë?” Përgjigjja e Toçit ishte prerë: Jo! “Divorci nuk është mburojë. Nëse pasuria është e paligjshme, ligji ta merr, s’ka rëndësi në je i martuar apo i divorcuar,” deklaroi ajo, duke thyer një nga iluzionet më të përhapura vitet e fundit, sidomos përballë institucioneve si SPAK.
Ajo tregoi edhe realitetin e kujdestarisë, ku zakonisht fëmijët mbeten me nënën, por çdo rast vlerësohet më vete. Gjykatat, sipas saj, po bëhen gjithnjë e më të kujdesshme dhe gjithçka varet nga mirëqenia e fëmijës.
Mes gjithë temave të forta, Toçi solli edhe një tjetër surprizë: javën tjetër del në treg libri i saj i tretë me poezi, me një titull intriguese – “Perëndesha i cik”. Ajo pranoi se letërsia është mënyra e vetme për të shfryrë botën e ashpër të dosjeve gjyqësore.
Dhe mes gjithë realitetit të fortë që përshkruan, Dea Toçi dha një mesazh emocional për shqiptarët:
“Mos e lini Shqipërinë. Me gjithë vështirësitë, kjo tokë na mban, na jep rrënjë dhe na bën më të plotë.”
Një intervistë që preku, provokoi dhe informoi – thjesht tipike Radio Wave. Qëndroni me ne për më shumë zëra që flasin troç dhe tema që prekin jetën reale të shqiptarëve.