DUA LIPA RRËFEN HISTORINË E DASHURISË DHE FEJESËN ME CALLUM TURNER: “JAM DASHURUAR MARRËZISHT”
Written by radio wave on August 20, 2025
DUA LIPA RRËFEN HISTORINË E DASHURISË DHE FEJESËN ME CALLUM TURNER: “JAM DASHURUAR MARRËZISHT”
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ka rrëfyer për herë të parë me detaje lidhjen dhe fejesën e saj me aktorin britanik Callum Turner, duke pranuar se është “dashuruar marrëzisht” me të.
Në një intervistë të sinqertë për edicionin Global Icons të Harper’s Bazaar U.S., artistja 29-vjeçare tregoi se është gati të jetë e ndjeshme dhe të lejojë dashurinë të hyjë në jetën e saj, edhe nëse kjo do të thotë të rrezikojë lëndimin.
“E dua dashurinë. Është një gjë e bukur dhe frymëzuese. Ti e gjen veten duke u dashuruar marrëzisht në mënyrën më të mirë të mundshme. Kjo ndjeshmëri është e frikshme, por ndihem me fat që e përjetoj”, tha ajo.
Dua dhe Callum nisën të frekuentoheshin në janar 2024, por lidhjen e bënë publike në qershor. Vetëm një vit më pas, ata e konfirmuan fejesën. “Kam kaluar shumë kohë duke mbrojtur zemrën time, por tani po e lë pas këtë ndjenjë. Nëse është e shkruar të lëndohem, atëherë le të ndodhë. Duhet thjesht ta lejoj dashurinë”, shtoi këngëtarja.
E pyetur përse ka zgjedhur të flasë hapur për lidhjen e saj, ajo u përgjigj: “Jam më e lumtur se kurrë, ndaj më duket padrejtësi të mos flas për këtë. Kur je person publik, çdo gjë personale bëhet edhe më e ndjeshme, por nuk është se nuk dua ta ndaj”.
Në prag të 30-vjetorit të saj, që e feston më 22 gusht, Dua pranoi për herë të parë se ka menduar edhe për rolin e ardhshëm si nënë: “Një ditë do të doja të kem fëmijë… Është diçka që do të ndodhë kur të vijë momenti. Unë i dua fëmijët, por e di se rritja e një fëmije është shumë më tepër sesa thjesht dashuria për ta”.
Në fund të vitit të kaluar, mediat raportuan lajmin e propozimit romantik, ndërsa Dua është parë shpesh me unazën e saj me diamant. Vetë këngëtarja e konfirmoi: “Po, jemi të fejuar. Është një ndjenjë e veçantë, ky vendim për të jetuar bashkë gjithë jetën, për të qenë miqtë më të mirë përgjithmonë”.
Lidhur me planet e dasmës, ajo tregoi se ceremonia do të mbahet vetëm pasi të përfundojë turin e saj muzikor dhe Callum të mbyllë angazhimet në xhirime. “Nuk kam qenë ndonjëherë një person që ëndërron për martesën… Por tani, papritur, pyes veten: ‘Po unë çfarë do të vesh?’”, tha ajo me humor.
Dua pranoi se është “e fiksuar” pas unazës së fejesës: “Është një ndjenjë e bukur të dish që personi me të cilin do të kalosh jetën të njeh aq mirë”.
Historia e tyre e dashurisë nisi pas një takimi të rastësishëm në Londër, por këngëtarja beson se ishte e destinuar: “Një mijë për qind po”.
Ajo gjithashtu foli për marrëdhëniet e së kaluarës, duke u shprehur se përmes tyre ka mësuar të njohë kufijtë e vetes dhe të rikthejë vetëbesimin: “Çdo marrëdhënie të mëson diçka për veten – çfarë të lëndon, çfarë pret dhe çfarë je gati të japësh”.