ELTON ILIRJANI NGRE ALARMIN PËR GJENDJEN E PARASHQEVI SIMAKUT: “I DUHET NDËRHYRJE URGJENTE NGA SHTETI”
Written by radio wave on November 11, 2025
Biznesmeni dhe aktivisti i njohur Elton Ilirjani ka bërë publike një situatë shqetësuese për këngëtaren legjendare shqiptare Parashqevi Simaku, e cila sipas tij po përballet me probleme serioze shëndetësore dhe vështirësi financiare.
Në një intervistë për emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, që do të transmetohet sonte në orën 23:00, Ilirjani do të ndajë detaje tronditëse mbi gjendjen aktuale të artistes që dikur pushtonte skenat shqiptare me hitet e saj.
Një video-promo e publikuar paraprakisht ka nxjerrë në pah disa nga aspektet më alarmante të kësaj situate. Sipas Ilirjanit, këngëtarja ndodhet “në situatën më të vështirë të jetës së saj” dhe prej 11 muajsh nuk ka treguar asnjë shenjë përmirësimi.
Ai u shpreh se Parashqevi Simaku nuk merr më asnjë mjekim dhe, pas daljes nga spitali, është izoluar plotësisht.
“Njeri që rri gjithë ditën në shtëpi. Nuk ka më motivim,” tha Ilirjani, duke shtuar se këngëtarja shpesh shprehet se “IA (Inteligjenca Artificiale) e ndau” dhe se, ndonëse është e divorcuar, nuk e pranon këtë fakt dhe nuk ka më kontakt me djalin e saj.

Përveç krizës shëndetësore, vështirësitë financiare e kanë përkeqësuar situatën. Sipas Ilirjanit, e vetmja ndihmë ka ardhur përmes një GoFundMe, ndërsa qeraja e banesës së saj, që deri tani është paguar nga Kadri Morina, përfundon në fund të janarit 2026.
“Nga shkurti 2026 nuk ka asgjë,” – theksoi ai, duke shtuar se një nga pengesat kryesore është mungesa e dokumenteve personale: “As ID nuk pranon të bëjë.”
Aktivisti tregoi se ka bërë çmos për t’i ardhur në ndihmë artistes, përfshirë organizimin e emisioneve dhe kontaktimin e personave që kanë ofruar ta strehojnë në Shqipëri, por theksoi se tashmë është koha që të ndërhyjë shteti.
“I duhet ndihma e shtetit shqiptar që të marrë mjekimin, të bëjë dokumentet, ID-në amerikane dhe shqiptare. Dikush duhet të merret me këtë zonjë,” – u shpreh Ilirjani me tone të forta apelimi.
Historia e Parashqevi Simakut, një prej zërave më të dashur të muzikës shqiptare të viteve ’80 dhe ’90, ngre një shqetësim të madh për mungesën e mbështetjes ndaj artistëve të brezit të artë, të cilët shpesh mbeten të harruar, pavarësisht kontributit të tyre në kulturën kombëtare.