Elvis dhe Belina Pupa rikthehen me ironi të fortë ndaj lajmeve të bujshme për kultivim cannabis-i
Written by radio wave on November 26, 2025
Elvis dhe Belina Pupa duket se nuk e kanë ndërmend të lejojnë që lajmet e bujshme për ta të mbeten pa një përgjigje… dhe e kanë bërë në stilin e tyre karakteristik: me humor të zi, tallje dhe një dozë sarkazme që vetëm ata dinë ta servirin.
Pas gjithë zhurmës së krijuar disa muaj më parë, kur çifti u përfol se kultivonin kanabis në një pronë të dhënë me qira në Australi dhe se kishin ndërhyrë në furnizimin e energjisë elektrike, dyshja vendosi të kthejë faqen me një video satirike, e cila po qarkullon gjerësisht në rrjetet sociale.
Në klip, ata zgjodhën t’i përgjigjen akuzave duke u vetëquajtur “grupi armiqësor Midhja”, duke ironizuar versionet e ekzagjeruara që qarkulluan në media. Dialogu mes tyre është kthyer tashmë në meme:
Elvisi: “Ne jemi grupi armiqësor Midhja. Unë kam hedhur në erë hidrocentralin e Peqinit.”
Belina: “Hidrocentralin e kam pasur unë, pra!”
Elvisi: “Po unë çfarë kam pasur?”
Belina: “Ti ke pasur serat!”
Elvisi: “Po unë kam hedhur në erë serat e Sukthit… Sa grup i rrezikshëm paskemi qenë, more!”
Belina: “Po ç’do të thotë bota për ne?”
Elvisi: “Bota? ‘E hodhën dobiçin në ferr e tani dalin na hedhin hi syve ne’.”
Kaq u desh që videoja të shpërthente në klikime dhe komente, duke treguar se çifti ka zgjedhur të përballet me thashethemet jo me heshtje, por me autoironi.
Sa i përket çështjes së shumëpërfolur, kujtojmë se Belina Pupa u paraqit para gjykatës australiane më 23 maj, pasi dyshohej për kultivim të lëndëve narkotike dhe lidhje të paligjshme të energjisë. Në fund, ajo u shpall e pafajshme, duke sqaruar se prona ishte dhënë me qira dhe se ajo nuk kishte asnjë lidhje me aktivitetet e paligjshme të zbuluara aty.
Elvis Pupa, nga ana tjetër, përgënjeshtroi fort aludimet se ishte në kërkim, duke i quajtur manipulime mediatike.
Tani, me humorin si mjetin e tyre më të fortë, Elvis dhe Belina duket se kanë vendosur ta mbyllin këtë kapitull – duke u tallur me gjithçka që u sajuar për ta. Showbiz-i shqiptar mori edhe një herë një “perlë satirike” që vetëm çifti Pupa mund ta prodhonte.