Eminem padit markën australiane “Swim Shady” për ngjashmëri me pseudonimin e tij legjendar
Written by radio wave on November 20, 2025
Reperi amerikan Eminem ka nisur një betejë të re në prapaskenë – këtë herë jo në studio, por në zyrat e markave tregtare. Artisti ka paditur kompaninë australiane Swim Shady, duke pretenduar se emri i tyre është shumë i ngjashëm me identitetin e tij të famshëm artistik, Slim Shady.
Padia është depozituar në Zyrën e Patentave dhe Markave Tregtare të SHBA-së, ku avokatët e tij argumentojnë se marka australiane po krijon një “lidhje të rreme” me reperin dhe po përfiton nga reputacioni i tij shumëvjeçar. Kompania duhet të përgjigjet brenda pak ditësh, ndërsa debati tashmë ka filluar të marrë vëmendjen e mediave ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, kompania me seli në Sydney thotë se emri Swim Shady është i tyre dhe krejt i pavarur nga artisti, duke u zotuar se do të “mbrojë pronën e tyre intelektuale”. Ata prodhojnë çadra plazhi, çanta noti dhe pajisje të tjera për t’u mbrojtur nga dielli, produkt që sipas tyre nuk ka lidhje me muzikën.

Megjithatë, dokumentet tregojnë se kompania nisi fillimisht me emrin Slim Shade në vitin 2023, përpara se të ribrandonte si Swim Shady në 2024 – një detaj që ekipi ligjor i Eminem e ka cilësuar si provë të qartë të ngjashmërisë së qëllimshme.
Eminem e regjistroi markën Slim Shady që në vitin 1999, kohë kur nisi fama e tij botërore, ndërsa në Australi ai e bëri kërkesën zyrtare vetëm këtë vit. Me një karrierë që shpërtheu globalisht me “The Real Slim Shady”, pseudonimi i tij është kthyer prej kohësh në një element kyç të identitetit të tij artistik.
Ndërkohë, beteja ligjore pritet të jetë e gjatë dhe e nxehtë – tipike për botën e showbiz-it, ku shpesh një emër vlen po aq shumë sa vetë artisti.
A do ta fitojë Eminem këtë raund, apo Swim Shady do t’i rezistojë valës?
Historia vazhdon…