Enxhi Nasufi dhe Neada Muçaj reagojnë ndaj thashethemeve për konflikt në “Wake Up”
Written by radio wave on November 18, 2025
Pas zërave që qarkulluan ditët e fundit për një përplasje mes moderatoreve të “Wake Up”, Enxhi Nasufi dhe Neada Muçaj kanë vendosur të flasin hapur për të qartësuar situatën. Gjatë transmetimit të mëngjesit, së bashku me Blendi Salajn, ato mohuan kategorikisht çdo incident mes tyre.
Dyshja u shpreh se lajmet që kanë qarkulluar nuk kanë asnjë bazë dhe se asnjë konflikt, qoftë verbal apo fizik, nuk ka ndodhur ndonjëherë. “Nuk ka ndodhur kurrë,” deklaruan ato, duke i cilësuar thashethemet si të pavlera dhe të panevojshme.

Neada Muçaj shtoi se zërat e sajuar nuk i kanë pëlqyer aspak, duke theksuar se është e rëndësishme që publiku të mos i besojë çdo lajmi që përhapet në portale. Ajo u shpreh se ndihet mirë që shikuesit po e kuptojnë realitetin dhe po dallojnë të vërtetën nga spekulimet.
Reagimi i tyre i përbashkët erdhi si një mënyrë për të vendosur pikën mbi “i” dhe për të treguar se ekipi i “Wake Up” funksionon pa asnjë problem, në harmoni dhe profesionalizëm. Moderatoret vazhduan emisionin me ton pozitiv, duke nënkuptuar se thashethemet nuk kanë për t’i ndikuar në energjinë e përditshme në ekran.