Current track

Title

Artist

Eurovision 2026 tronditet nga bojkotet: Sllovenia dhe Irlanda largohen pas vendimit për pjesëmarrjen e Izraelit

Written by on December 5, 2025

Festivali i Këngës në Eurovision 2026 po përballet me një krizë të vërtetë imazhi, pasi Sllovenia dhe Irlanda janë vendet më të fundit që konfirmuan se nuk do të marrin pjesë në edicionin e ardhshëm. Shkak i drejtpërdrejtë është vendimi i EBU-së për të lejuar Izraelin të vazhdojë garën, pavarësisht debatit të ashpër ndërkombëtar.

RTV Slovenia, së bashku me disa vende të tjera, mes tyre Spanja, Mali i Zi, Holanda, Turqia, Algjeria dhe Islanda, kërkuan një votim të fshehtë për pjesëmarrjen e Izraelit. Por një votim i tillë nuk u realizua. Në vend të kësaj, Asambleja e Përgjithshme e EBU-së në Gjenevë votoi për të vijuar me skenarin aktual të organizimit, çka automatikisht nënkuptoi se Izraeli do të mbetet në garë.

Natalija Gorščak, presidente e Bordit të Drejtorëve të RTV Slovenia, e bëri të qartë për TV Slovenia se vendimi është i pakthyeshëm. Sipas saj, jo vetëm Sllovenia, por edhe Spanja, Holanda dhe Irlanda nuk do të marrin pjesë në Eurovision 2026.

Ndërkohë, transmetuesi irlandez RTÉ publikoi një deklaratë të fortë ku njoftoi bojkotin dhe tërhoqi edhe transmetimin e konkursit nga programacioni i tij. Në deklaratë, RTÉ thekson se pjesëmarrja e Irlandës është e papranueshme për shkak të situatës humanitare në Gaza dhe vrasjes së gazetarëve gjatë konfliktit, si dhe mungesës së aksesit për gazetarinë ndërkombëtare në territor.

Holanda dhe Spanja kishin paralajmëruar që më herët se nuk do të ishin pjesë e Festivalit të Këngës për shkak të pranisë së Izraelit në garë.

Eurovision 2026 tani përballet me një valë bojkotimesh që mund ta shndërrojnë një nga ngjarjet më të mëdha muzikore europiane në një nga edicionet më kontroverse të historisë së tij.


Reader's opinions

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Current track

Title

Artist