FILMI NDËRKOMBËTAR “THE SIXTH” SJELL HOLLYWOODIN NË KOSOVË
Written by radio wave on November 7, 2025
Kosova po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një qendër tërheqëse për produksione ndërkombëtare, me xhirimet e filmit të ri horror “The Sixth”, nën regjinë e Michael Caissie dhe me producent hollywoodian Clayton Turnage. Projekti është realizuar në bashkëpunim me kompaninë vendase Kras Production, duke synuar promovimin e bukurive natyrore dhe potencialit të Kosovës si destinacion filmik.
Filmi është xhiruar tërësisht në vendin tonë, në disa nga lokacionet më mbresëlënëse si Trepça, Prishtina dhe Shpella e Gadimes. “The Sixth” është pjesë e një serie projektesh që po zhvillohen falë angazhimit të producentëve kosovarë me bazë në SHBA, Fitim dhe Fahri Krasniqi, të cilët po sjellin gjithnjë e më shumë bashkëpunime ndërkombëtare në industrinë e filmit në Kosovë.
Ky produksion i zhanrit horror ndërthur elemente dramatike dhe thriller, duke shfrytëzuar në mënyrë artistike natyrën dhe historinë e pasur të vendit. Me imazhe të fuqishme dhe një atmosferë misterioze, filmi pritet të ofrojë një eksperiencë tërheqëse vizuale për publikun ndërkombëtar dhe të vendosë Kosovën në fokusin e skenës kinematografike globale.
Ekipi i filmit ka paralajmëruar edhe një konferencë për media më 7 nëntor, që do të mbahet në Shpellën e Gadimes në Lipjan, ku do të prezantohen më shumë detaje rreth projektit, sfidave dhe përvojës gjatë xhirimeve në vend.
“The Sixth” konsiderohet si një hap i rëndësishëm drejt afirmimit të Kosovës në industrinë botërore të filmit, duke treguar se vendi ofron gjithçka që kërkon një produksion ndërkombëtar – nga talentet profesionale e deri te lokacionet unike që e bëjnë çdo skenë të paharrueshme./TELEGRAFI/