Fisnik Asllani “ndez” merkaton: Barcelona e do në Camp Nou, por gara është e egër
Written by radio wave on March 5, 2026
Sulmuesi kosovar Fisnik Asllani po kthehet në një nga emrat më të nxehtë të merkatos evropiane. Forma e tij shpërthyese me TSG 1899 Hoffenheim ka tërhequr vëmendjen e disa gjigantëve të futbollit, duke e vendosur 21-vjeçarin në qendër të skautëve elitë.
Sipas raportimit të Indeksonline, interesimi për Asllanin është serioz, ndërsa media spanjolle Sport.es ka ngritur alarmin për një mundësi transferimi drejt FC Barcelona. Ideja e ta shohësh bomberin kosovar në “Camp Nou” po qarkullon me shpejtësi, por operacioni nuk pritet të jetë i lehtë.
Në garë për firmën e tij janë edhe klube të mëdha si Chelsea FC, Tottenham Hotspur FC, FC Bayern Munich, Borussia Dortmund dhe Aston Villa FC, çka e bën betejën për të jashtëzakonisht të fortë.
Vetë Asllani nuk e ka fshehur admirimin për katalanasit. Në një intervistë disa muaj më parë, ai e quajti Barcelonën ëndrrën e tij dhe theksoi dëshirën për të luajtur në Ligën e Kampionëve, deklaratë që tani po merr edhe më shumë peshë në dritën e zhvillimeve të fundit.
Ndërkohë, Hoffenheimi ka lëvizur shpejt për të blinduar talentin, duke ia zgjatur kontratën deri në vitin 2029. Klauzola e lirimit prej 30 milionë eurosh e bën të qartë se kushdo që e dëshiron do të duhet të paguajë shtrenjtë. Me këtë ritëm, vera pritet të jetë e zjarrtë për Fisnik Asllanin.