FLORI MUMAJESI NË NJË PUSHIM ARTISTIK, POR KËNGËT E REJA JANË NË RRUGË
Written by radio wave on February 21, 2025
Ai i mungon prej kohësh muzikës shqiptare dhe skenës, por emri i tij mjafton për të trazuar ujërat në çdo lajm, me shpresën se në një prej tyre do të konfirmohet rikthimi i tij. Po flasim për Flori Mumajesin, të cilin publiku e kërkon ngado, dhe çdo person afër tij nuk i shpëton pyetjes: “Ku është Flori?”
Së fundmi, një informacion mbi gjendjen e tij artistike erdhi nga Klajdi Haruni, i cili u vu në ‘grackë’ gjatë një mbrëmjeje miqësore në Bogë. Të ftuar në emisionin “Mirëmbrëma yje” nga Arbana Osmani, në një tavolinë korçare me Anxhela Peristerin, Mihallaq Andrean dhe Viola Spiron, Haruni zbuloi se Flori është në një pushim artistik, por puna për këngët e reja vazhdon.
Gjatë bisedës, Arbana Osmani e pyeti Klajdin:
“Nga bëhet Flori? Të pyesin ty, më pyesin edhe mua. Unë për vete e di që është duke punuar dhe duke bërë gjëra të bukura, por ti na thuaj ndonjë informacion pak më tepër, se ti e takon pak më shpesh. Kur do të dalë kënga, kur do të dalë albumi, se këto s’m’i thotë mua?”
Klajdi Haruni u përgjigj: “Flori është në një pushim artistik momentalisht, por po punon. Është në studio domethënë.”
Arbana shtoi: “Po bën këngë të bukura.”
Ndërsa Klajdi konfirmoi: “Disa i ka krijuar që tani.”
Kjo deklaratë ka ngjallur entuziazmin e fansave, të cilët presin me padurim projektet e reja të artistit të dashur. Edhe pse Flori ende nuk ka zbuluar detaje mbi datat e publikimeve, duket se rikthimi i tij në skenë është vetëm çështje kohe.