FUND MARTESËS MES KRISTIN CABOT DHE ANDREW CABOT PAS SKANDALIT NË KONCERTIN E “COLDPLAY”
Written by radio wave on September 9, 2025
Një sipërmarrës nga Massachusetts ka folur së fundmi për fundin e martesës së tij me Kristin Cabot, e cila këtë verë u pa në krahët e shefit të saj, Andy Byron, gjatë një koncerti të grupit “Coldplay”.
Pamjet e kapura nga “Kiss Cam”, ku Kristin dhe Byron u përpoqën të fshiheshin, u shpërndanë me shpejtësi në rrjete sociale dhe ngjallën shumë reagime, sidomos pas shakasë së këngëtarit Chris Martin:
“Ose janë në një lidhje të fshehtë, ose kanë shumë turp”.
Vetëm pak javë më vonë, Kristin paraqiti kërkesën për divorc në New Hampshire.

Një zëdhënëse e Andrew Cabot, 61 vjeç, CEO i kompanisë Privateer Rum, theksoi se çifti ishte ndarë në mënyrë private dhe miqësore përpara incidentit në koncert.
“Vendimi për divorc ishte marrë tashmë. Tani Andrew shpreson që kjo të mbyllë spekulimet dhe t’i japë familjes privatësinë që e ka vlerësuar gjithmonë”, – thuhet në reagim.
Andrew ka dy fëmijë nga një martesë e mëparshme, ndërsa me Kristin nuk kishte fëmijë.

Skandali me Andy Byron, i cili është gjithashtu i martuar, ndezi një valë memesh dhe diskutimesh online, duke ngritur pyetje mbi kufijtë e privatësisë në epokën digjitale.
Si Kristin, ashtu edhe Byron, u larguan nga kompania Astronomer, ku punonin së bashku. Në një reagim, CEO i përkohshëm Pete DeJoy tha:
“Edhe pse nuk do të doja të ndodhte në këtë mënyrë, Astronomer tani është bërë një emër i njohur”.
Ky zhvillim vijon të komentohet gjerësisht, duke treguar edhe njëherë sesi një moment i kapur rastësisht në publik mund të ketë pasoja të mëdha personale dhe profesionale.