“Garage Lock” me Renis Gjokën dhe Eugent Bushpepën nis sezonin ekskluzivisht në Radio Wave
Written by radio wave on December 5, 2025
Radio Wave prezanton sezonin e ri të podcast-it “Garage Lock”, një format i udhëhequr nga dy figura të rëndësishme të skenës rock shqiptare, Renis Gjoka dhe Eugent Bushpepa. Programi do të transmetohet ekskluzivisht çdo të shtunë në orën 18:05.
I mbështetur në kulturën rock dhe energjinë karakteristike të dy moderatorëve, “Garage Lock” synon të ofrojë një atmosferë të sinqertë, spontane dhe plot personalitet. Megjithatë, ndryshe nga një podcast strikt muzikor, të ftuarit vijnë nga fusha të larmishme – art, sport, media, kulturë, biznes dhe skena krijuese – duke i dhënë programit një dimension më të gjerë dhe shumëplanësh.

Secila bisedë zhvillohet në frymën e lirisë artistike që përfaqëson rock-u, me histori personale, sfida profesionale, reflektime dhe tema të jetës së përditshme, gjithmonë me stilin e drejtpërdrejtë dhe humorin karakteristik të Gjokës dhe Bushpepës.
“Garage Lock” pritet të sjellë në Radio Wave një frymë alternative, duke krijuar një hapësirë ku muzika, kultura dhe personalitetet e ndryshme bashkohen natyrshëm në një format modern dhe tërheqës për publikun.