Genta Mema – Nga pasarelat e modës në botë, te fryma artistike shqiptare. Ekskluzivisht në Radio Wave 108 FM
Written by radio wave on October 16, 2025
Fotografja profesioniste Genta Mema ishte sot e ftuar në Radio Wave 108 FM, ku ndau me dëgjuesit emocionet, përvojat dhe reflektimet e saj pas një sezoni plot suksese në botën e modës.
Genta tregoi se për të ka qenë një përvojë unike dhe e paharrueshme pjesëmarrja për herë të parë në Milano Fashion Week dhe Paris Fashion Week, ku kaloi nga tre ditë në secilin prej eventeve më prestigjioze të modës në Europë. Falë njohurive të saj në disa gjuhë të huaja – anglisht, suedisht dhe italisht – ajo arriti të komunikojë dhe bashkëpunojë ngushtë me stilistë, modele dhe profesionistë të huaj të industrisë.
Ajo theksoi se atmosfera në këto sfilata ishte e mbushur me energji pozitive, profesionalizëm dhe respekt të ndërsjellë, ku çdo njeri kishte rolin dhe përgjegjësinë e vet.
“Spikaste një kulturë e lartë pune. Çdokush e dinte çfarë duhej të bënte dhe e bënte me pasion,” – tha Genta, duke shtuar se mes modeleve kishte edhe bukuroshe shqiptare, të cilat po spikasin gjithnjë e më shumë në skenat ndërkombëtare.
Sapo është kthyer nga Fokus Award 16 në Fier, një nga konkurset më të rëndësishme të fotografisë në vend, ku Genta u përzgjodh në dy kategori – Life dhe People – mes mbi 1000 fotografëve pjesëmarrës.
E pyetur se si do ta përfytyronte Shqipërinë në një foto, ajo u përgjigj me ndjeshmëri:
“Shqipëria për mua do të ngjante me djalin tim të vogël – me sytë blu, flokët me onde dhe buzeqeshjen e pafajshme.”
Në fund, Genta shtoi se sot moda është ajo që kërkon më shumë fotografinë, megjithatë ajo do të dëshironte që gjithnjë e më shumë njerëz të fotografonin veten – për të krijuar kujtime, për të ikonizuar momente dhe për të parë bukurinë në çdo detaj të përditshmërisë.
Një artiste me shpirt, ndjeshmëri dhe vizion – Genta Mema është shembulli se si pasioni, përkushtimi dhe kultura e punës mund ta çojnë një fotografe shqiptare në majat e botës së modës.