GIORGIO ARMANI NDËRROI JETË, BOTA E MODËS HUMB NJË LEGJENDË
Written by radio wave on September 5, 2025
Shtëpia e modës Armani bëri të ditur të enjten se stilisti i madh italian Giorgio Armani ka ndërruar jetë në moshën 91-vjeçare. “Me pikëllim të pafund, Grupi Armani njofton ndarjen nga jeta të krijuesit, themeluesit dhe forcës së palodhur që qëndronte pas tij: Giorgio Armani”, thuhej në deklaratën e kompanisë, e publikuar nga Reuters. Armani ishte sinonim i elegancës dhe stilit modern italian, duke e kthyer emrin e tij në një markë globale me qarkullim vjetor prej rreth 2.3 miliardë eurosh.

Ai arriti të ndërthurte mjeshtërinë e dizajnit me vizionin e një biznesmeni të shkëlqyer, duke krijuar një perandori mode që frymëzoi breza të tërë. I njohur me nofkën “Re Giorgio” – Mbreti Giorgio – stilisti kujdesej vetë për çdo detaj, nga koleksionet dhe reklamat, deri te stili i flokëve të modeleve përpara se ato të dilnin në pasarelë. Prej kohësh Armani kishte probleme shëndetësore dhe këtë vit mungoi për herë të parë në karrierën e tij në Javën e Modës për Meshkuj në Milano.

Sipas kompanisë, këtë fundjavë në Milano do të hapet një dhomë mortore për homazhe publike, ndërsa ceremonia private e varrimit do të mbahet në një datë që ende nuk është bërë e ditur. Largimi i tij shënon fundin e një epoke për botën e modës, ku Giorgio Armani mbetet një simbol i përjetshëm i thjeshtësisë, klasit dhe elegancës italiane.